E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja çfarë donte të fshihte Sesilja

Një javë më parë, Presidenti francez, u përshkrua nga gruaja me të cilën kishte ndarë 18 vjet jetë si një "sauteur" (fjalë vulgare franceze që përdoret për meshkujt që rendin pas femrave). Jo vetëm kaq, por e njëjta grua e cilësoi Sarkozinë edhe si "koprac". Vetëm dy ditë para këtyre cilësimeve, Sarkozi kishte lënë të kuptohej se kishte ndërmend që të vinte kurorë me ish- modelen, tashmë këngëtare, Karla Bruni, me të cilën ishte takuar dy muaj më parë dhe që nga ajo ditë i kishte rënë keq në kokë. Karla, për më tepër, në një intervistë të saj të fundit, ndër të tjera ishte shprehur se ishte një person që nuk besonte te monogamia. Po javës së shkuar, u tha edhe se ndërsa Sarkozi po shijonte takimet e para me Brunin, mendja herë pas here i fluturonte edhe te një aktore shumë bukuroshe, Eva Green, (protagonistja femër e 007 së fundit. Të gjitha këto episode rozë ndodhin në një vend popullit të të cilit i është imponuar rregulli për të mos u përzierë me jetën private të politikanëve, pra se jeta private e liderëve duhet me çdo kushte të mbetet e tillë, e mbyllur brenda mureve të dhomave ku ata kryejnë aktivitetet e tyre të ndryshme. Të mendosh se e gjithë kjo zallamahi ndodh vetëm pak muaj pasi Sarkozi, gjatë fushatës elektorale deklaroi se ardhja e tij në pushtet do të garantonte kthimin e vlerave "tradicionale" të familjes. Cilësimet e fillimit të shkrimit u bënë nga ish-bashkëshortja e Sarkozisë, Sesilja, 50-vjeçarja ish-modele, e cila u divorcua nga Presidenti në muajin tetor. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Sesilja ia kishte besuar mendimet për ish-bashkëshortin një shkrimtareje që kishte marrë përsipër t‘i bënte biografinë, por më vonë u pendua për një akt të tillë dhe kërkoi që ajo të mos i përfshinte më në libër. Madje, Sesilja iu fut një beteje ligjore për ndalimin e publikimit të librit, betejë që në fakt e humbi, pasi gjykata franceze, të premten e kaluar i dha botimit të tij dritë të gjelbër. Më poshtë janë përzgjedhur disa copëza të librit të shkruar nga një gazetare e respektuar politike e revistës "Le Point". Libri i saj bazohet në bisedat që gazetarja ka bërë me ish-zonjën e Parë të Francës, që kur ajo u divorcua nga Nikolas Sarkozi më 15 tetor. Sipas gazetares, fjalët e Sesiljas janë ato të një gruaje që po përjetonte një dramë, pas një divorci të dhimbshëm, një gruaje që megjithatë shpresonte shumë në një fund të lumtur të gjithë historisë, një fund me njeriun e saj të zemrës, me burrin që më shumë se njëherë në libër e ka cilësuar "dashurinë e jetës". Libri është i shkruar rrjedhshëm, me pjesë kritike ndaj figurës së Sesiljes. Hera-herës ajo paraqitet me ngjyrat e një heroine të një tragjedie klasike e tipike franceze, e ndarë mes detyrës së saj dhe dashurisë pasionante për një burrë tjetër.

Për Nikolasin

"Unë nuk e dashuroj më. Kur e shoh sot nuk mund ta besoj që dikur e kam dashur me aq zjarr". Këtu Sesilja hesht. E kupton se po bën një vlerësim që ka të bëjë jo vetëm me një person. Por me 20 vitet e fundit të jetës së saj…Megjithatë, këtë mëngjes tetori, kur bryma ka mbuluar gjithçka, një muaj pas divorcit të saj të dytë, Sesilja nuk mund të fshehë një ndjenjë të fortë inati ndaj Nikolasit dhe jo vetëm për atë që ai ka bërë në 20 vitet e fundit, por edhe për mënyrën se si po sillet aktualisht. "Ai nuk po sillet mirë". Mes ish-çiftit të parë të Francës, menjëherë pas divorcit ka pasur diskutime të ashpra në lidhje me paratë. "Nikolas është shumë koprac…", thotë Sesilja, e cila më pas shton edhe një tjetër cilësim, të rëndë në adresë të ish-bashkëshortit: "Ai është edhe "sauteur". Pasi i ka "pështyrë" këto cilësime për Nikolasin duket sikur Sesilja ka hequr një barrë të rëndë nga vetja. Tani ndihet më e qetë. Kur e la, dy vjet më parë, gjithsesi shkaku kryesor nuk ishin sjelljet e Nikolasit. Me dorën vendosur në zemër ajo betohet se asnjëherë, askush nuk i kishte servirur ndonjë dosje me bëmat e fshehta të të shoqit, siç u tha menjëherë pas ikjes së saj në vitin 2005. Madje, në atë kohë u tha edhe se personi që i kishte dhënë Sesiljes materialet komprometuese për Sarkozinë ishte kundërshtari politik më i ashpër i ish-ministrit të Brendshëm të atëhershëm, ish-kryeministri i qendrës së djathtë, De Villepin. Sarkozia dyshoi se ai i kishte thënë Sesiljes se Nikolasi kishte pasur dhe kishte marrëdhënie jashtëmartesore me shumë gra të tjera. "Jo, nuk kam pasur kurrë ndonjë dosje të tillë para syve. E mohoj kategorikisht. Arsyeja e ikjes sime është shumë më e thjeshtë. Unë ika pas një burri me të cilin isha thellësisht e dashuruar. (ky burrë është Richard Attias, një drejtues i një zyre i marrëdhënies me publikun, për të cilin sipas vetë pohimit të saj, Sesilja e la Sarkozinë për 8 muaj në vitin 2005. Për 18 vjet rresht, askush nuk më ka thënë asnjë fjalë të vetme në lidhje me marrëdhëniet e ish-bashkëshortit tim, sepse nuk kanë dashur të më lëndojnë",rrëfen Sesilja. Nga një deklaratë në tjetrën, nga një moment në tjetrin ajo nis të ndihet keq, duke u dyzuar për atë që do të thotë më pas: "Ka pasur raste që ai ka kryer marrëdhënie seksuale me femra të cilave nuk ua ka ditur as emrin", pohon e pezmatuar, pasi ky rrëfim me siguri e kredh në kujtime aspak të këndshme. "Të paktën kështu është përfolur, por të paktën askush nuk e ka kapur në flagrancë. Të gjithë pohojnë se ishte e vërtetë, por unë nuk dua ta besoj, siç nuk kam dashur ta besoj edhe gjatë viteve që ishim bashkë". Sa për Sesiljen, ajo ndoshta do t‘i ketë plagët e shkaktuara nga Sarkozia gjithmonë në zemrën e saj. Herën e parë që ajo e la të shoqin ishte për një tjetër burrë, por atëherë nuk kishte dëgjuar shumë për tradhtitë e Nikolasit. Herën e dytë ishte një vendim që ajo e mori për veten e saj . Sigurisht që kur më pas dëgjoi për bëmat e të shoqit mori më shumë guxim për të marrë vendimin. "Ajo çka më thanë për të, më ndihmoi të isha më e prerë. Si mund të vazhdosh të respektosh veten tënde po të pranosh të vazhdosh të rrish me dikë që nuk të ka respektuar. Unë nuk do ta kisha pranuar kurrë rolin e bashkëshortes së ish-presidentit francez, Miteran, e cila heshti dhe nuk e ndau të shoqin edhe pse e dinte që ai paralelisht dhe pavarësisht faktit se ishte President kishte ngritur një familje tjetër e madje kishte edhe fëmijë. Gjatë gjithë jetës sime 18-vjeçare me Nikolasin ai kurrë nuk u erdhi të hante në shtëpi me mua dhe më pas edhe me tim bir. Unë haja me fëmijët, ndërsa ai drekonte, ose darkonte në punë. Ai nuk do të kishte arritur kurrë aty ku është sot në rast se do të ishte sjellë si baba e bashkëshort i mirë. Çka ai bën nuk bie në kundërshtim me pozicionin e tij. Ai është politikan, pra nuk është si unë e si ti. Nuk ka të njëjtin kod moral si njerëzit e zakonshëm. Kjo është arsyeja që ai është sot aty ku është, pra në krye të vendit. Ai është një njeri që nuk do askënd, as fëmijët e tij". Ka pasur kohë kur Sesilja e ka falur të shoqin për egoizmin e tij edhe pse ajo sakrifikoi shumë, çdo ditë të jetës për ambicien politike të Sarkozisë, për arritjen e tij. Ndërsa rrëfehet, ndien barrën e përgjegjësisë, pasi ajo nuk e pëlqen njeriun në të cilin Sarkozia është shndërruar sot. "Nuk ka dinjitet. Një President nuk mund ta kalojë natën nëpër bare e klube duke kënduar karaoke", thotë e tmerruar. Gjatë 20 viteve që qëndroi pranë tij u kujdes që ai të shkonte herët në shtrat. Teksa flet, ai ndihet ende shqetësimi që ka për ish-bashkëshortin edhe pse ai tani është kryetar shteti. "Nikolasi ka probleme të mëdha në sjellje për të qenë Presidenti i Republikës, por çka është më e keqja është fakti se ai nuk ka askënd pranë që t‘i thotë të vërtetën e ta këshillojë. Unë e bëra për 18 vjet rresht dhe nuk mund të vazhdoj më tej."

Për ndarjen

Problemi i Sarkozive thuhet se nisi kur ai e la punën si ministër i Brendshëm në vitin 2004 dhe u bë Presidenti i partisë kryesore të Qendrës së Djathtë Bashkimi për një Lëvizje Popullore. Për sa i përket Sesiljes, ajo nuk ishte dakord për një vendim të tillë, pasi njerëzit që e rrethonin të shoqin ishin të gjithë si hiena. "Në atë parti ka vetëm homoseksualë, maço dhe sërish homoseksualë. Është një parti krejtësisht maskiliste". Në shkurt të vitit 2005, Sesilja donte të shkruante një roman satirik, sigurisht anonim, për jetën e politikanëve dhe brendinë e partive politike në Francë. "Segolena, që është një mikja ime do të më tregonte se çfarë ndodhte në Partinë e saj Socialiste, por libri nuk u shkrua kurrë, sepse unë isha bashkëshortja e….", thotë Sesilja.

Për paratë

"Nikolas është koprac. Ai është bujar vetëm kur t‘i je me të. Në të kundërt nuk të njeh fare". Për të pasur një divorc sa më të shpejtë, Sesilja rrëfen se pranoi prej të shoqit një shumë të vogël parash, shumë më të vogël nga ajo që i takonte. "Nuk kisha rrugë tjetër. Nikolasi nuk e donte divorcin dhe unë i thashë se duhet të ma jepte shpejt dhe se pas divorcit do të diskutonim detajet dytësore", thotë ajo. Është e pabesueshme të mendosh se sa pak i ka ofruar Sarkozi, duke qenë se është edhe President i një vendi të pasur si Franca. "Nuk mund as të paguaj qiranë me aq para. Edhe nëse do të ribisedoja me Sarkozinë për një rritje, ajo nuk do të shkonte më shumë se 100 euro në muaj. Unë nuk mund të jetoj së bashku me tim bir me një shumë të tillë qesharake. Fëmijët janë të shtrenjtë, shumë të shtrenjtë. Nuk mendoj se Nikolasi do që i biri të përfundojë nën urë. Kam dëgjuar se për një foto timen me të dashurin paparacët do të paguanin edhe 50 mijë euro. Në rast se është kështu, atëherë jam e gatshme që t‘i ndaj paratë me ta", thotë Sesilja.

Për njeriun e zemrës

Është një nga deklaratat më të bukura të bëra ndonjëherë për dashurinë. Në të vërtetë ajo ka bërë gjithçka për Riçard Attias, për dashurinë e saj. Edhe divorcin e bëri për të njëjtin qëllim: t‘i tregonte se sa i rëndësishëm ishte për të. Por edhe një muaj pasi ndarja u zyrtarizua, Sesilja deklaron se nuk e ka takuar Riçardin. "Ai është i terrorizuar. Më ka marrë frikë. Familja dhe miqtë e tij flasin keq për mua. Thonë gjëra shumë të rënda. Ai ndihet vazhdimisht i poshtëruar dhe vazhdimisht më thotë se gjithë poshtërimi i vjen për shkakun tim dhe të mendosh sa i rëndë është opinioni për një hebre maroken si ai. Riçard ka vuajtur shumë prej meje. Prej një kohe të gjatë. Një ndër rastet e para ishte kur u kthye në apartamentin tonë në Nju Jork ku jetuam për 8 muaj dhe unë nuk isha më aty. Kjo ndodhi kur vendosa të rikthehem te Sarkozia. Pas kësaj ngjarjeje kaloi një periudhë shumë të rëndë, u traumatizua. Edhe puna iu dëmtua shumë. Sigurisht që sjellja ime nuk ishte ndër më të mirat e mundshme. Ja çfarë më tha së fundi në telefon: Unë e kuptoj që divorci yt është deklarata më e bukur e dashurisë që mund të më bëje, por përveç kësaj, Sesilja ka edhe një tjetër, krejt të ndryshme. Unë e kam parë atë dhe ajo më frikëson shumë. Gabimi im ishte braktisja që i bëra Riçardit në vitin 2005. Tani po paguaj çmimin. Me sa duket Sesiljes i duhet ende ta bindë njeriun që do për ndjenjën e saj dhe këtë radhë edhe për vendosmërinë. Mbetet me shpresë se ai do ta dëgjojë një ditë. E vetmja dëshirë e saj e madhe, e zjarrtë është t‘i japë Riçradit sa më shumë prova për dashurinë e saj. "Ai është njeriu që kam dashur më shumë në jetën tim. Para tij nuk mendoj se lidhjet e mia kanë pasur të bënin me dashurinë. Ai është dashuria e jetës sime dhe unë jam gruaja e jetës së tij".

Për të ardhmen

Parisi ende e kujton parashikimin e dikurshëm që ish-presidenti francez, De Gaulle bëri për vejushën Zhaklin Kenedi: Ajo do të martohet me ndonjë njeri super të pasur, ndërkohë që një shkrimtar i shquar francez në lidhje me Sesiljen mendon krejt ndryshe: "Nëse nuk do të lidhet me Riçardin mund të përfundojë në një manastir". Vetë Sesilja thotë se beson shumë te fati dhe te parandjenjat. Ajo e parandien se historia e saj do të mbyllet me Riçardin. Por për aspektet e tjera të jetës? Sesilja është ende një grua shumë e bukur, ka sjellë në jetë tre fëmijë të mrekullueshëm, ka shpëtuar 6 jetë njerëzisht nga burgu libian kur ishte ende Zonja e Parë e Francës, dhe është mbi të gjitha një person shumë i fortë dhe një grua jashtë së zakonshmes. Thotë se është e përgatitur të përballet me shumë vështirësi dhe më në fund edhe pse në moshën 50-vjeçare, sido që të vijnë punët dëshiron të nisë një kapitull të ri në jetë, jetën e një gruaje që nuk varet dhe nuk i detyrohet më askujt. "Çdo gjë është e mundur", përfundon Sesilja, duke huazuar kështu një nga parullat elektorale të ish-bashkëshortit, e mundur për sa kohë që nuk kthehet pas…..

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›