E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarkozi i ofron ndihmë bërthamore Arabisë Saudite

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, i ka ofruar Arabisë Saudite ndihmë në zhvillimin e një programi paqësor për energjinë bërthamore me nisjen e një turi vizitash në vendet e Gjirit Persik, ku shpreson të sigurojë kontrata prej disa miliardë dollarësh për firmat franceze. Pas Arabisë Saudite, ku ai zhvilloi një takim me Mbretin Abdullah, Sarkozi pritet të vizitojë Katarin dhe më pas Emiratet e Bashkuara Arabe, ku sot do të nënshkruajë një marrëveshje të bashkëpunimit bërthamor. "Për transferimin e teknologjisë, Presidenti parashtroi çështjen e përdorimit të energjisë bërthamore për qëllime civile në takimin me Mbretin Abdullah", tha një burim i delegacionit francez. Sarkozi deklaroi se një ekip ekspertësh bërthamorë ishte i gatshëm të vizitonte Arabinë Saudite gjatë javëve të ardhshme për të "studiuar mundësitë". Presidenti francez, i cili deri tani ka nënshkruar marrëveshje bërthamore me Libinë dhe Algjerinë, është shprehur hapur se të gjitha shtetet kanë të drejtën e shfrytëzimit të energjisë bërthamore për qëllime civile. E ndërkohë që Sarkozi gjendet në Arabinë Saudite, nga Franca vjen një lajm mbi jetën e tij private. Sipas të përditshmes franceze, "L‘Est Repubblicain", Nikolas Sarkozi dhe Karla Bruni janë martuar të enjten e shkuar në Elize. Lajmi i është dhënë gazetës nga një dëshmitar që ka qenë i pranishëm në ceremoni. Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët në Arabinë Saudite, ku gjendet Presidenti, këshilltari për komunikimin i Sarkozisë, Frank Luvier, nuk ka përgënjeshtruar lajmin, por ka thënë se ky është një informacion që ka të bëjë me jetën private të Presidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›