Trajneri Ari Han: Jam i shqetësuar për miqësoret
Kanë mjaftuar dy javë që Ari Han të përballet me problemet e para në drejtimin e përfaqësueses shqiptare. Pas dështimit të miqësores së planifikuar me Azerbajxhanin në muajin mars, trajneri është vënë personalisht në kërkim të kundërshtarëve për datën e lënë të lirë nga UEFA. Meqë FSHF-ja nuk ka marrë ende një përgjigje pozitive nga ftesat e dërguara në federatat e ndryshme evropiane, Han po përdor të gjitha lidhjet e tij për të siguruar zhvillimin e ndeshjes ku do të provojë për herë të parë pankinën kuqezi. Ndonëse holandezi kërkonte ekipe të forta për ndeshjet miqësore, situata e krijuar ka bërë që ai të pranojë çdo lloj ekipi për takimin e marsit, shumë i rëndësishëm për të parë në aksion lojtarët që do të ketë në dispozicion për eliminatoret e Botërorit 2010.
Mendohej që kombëtarja shqiptare të luante në mars ndeshjen e planifikuar me Azerbajxhanin, por moskontaktimi në kohë me drejtuesit e Federatës Azerbajxhanase ka bërë që të dështojë zhvillimi i takimit të 26 marsit. Pasi ka marrë përgjigje negative nga Azerbajxhani, FSHF-ja ka kontaktuar menjëherë me të gjitha federatat e tjera evropiane që kishin datë të lirë 26 marsin dhe ishin në kërkim të një kundërshtari. Por mungesa e përgjigjeve nga këto shtete, ka bërë që të lajmërohet edhe trajneri Ari Han, i cili gjatë këtyre ditëve do të provojë një pjesë të lojtarëve të kampionatit shqiptar në zborin stërvitor që po zhvillon në Turqi. Tekniku holandez ka lajmëruar FSHF-në se do të përdorte lidhjet e tij për të siguruar një miqësore, ndonëse kjo do të thotë se nuk do të ketë përballë kundërshtarë shumë të fortë. FSHF-ja dhe Han kanë arritur në përfundimin se në të mirë të të dyja palëve, duhet siguruar sa më parë një miqësore, pavarësisht vlerës së kundërshtarit. Si rrjedhojë, trajneri po kontakton me drejtuesit e kombëtareve të Evropës Lindore për zhvillimin e një takimi në muajin mars, ndërsa pritet që emri i kundërshtarit të zyrtarizohet gjatë javës së ardhshme. Gjatë prezantimit të tij, Han bëri të ditur se dëshironte kundërshtarë të fortë edhe për miqësoret, por duket se ai ka ndërruar shpejt mendje, duke parë vështirësitë që ka Shqipëria në sigurimin e një takimi qoftë edhe me Azerbajxhanin.
Grumbullimi
Dje ka filluar zyrtarisht edhe grumbullimi i futbollistëve të kampionatit shqiptar në Antalia të Turqisë, ku do të vihen nën urdhrat e Han. Trajneri është takuar me skuadrën në Stamboll, për të vazhduar më pas me ta rrugën drejt Antalias, ku "zboristët" do të qëndrojnë për 10 ditët e ardhshme. Stërvitja e parë e grupit prej 25 lojtarësh do të zhvillohet sot, ndërsa në fushë, përveç Han, do të jenë edhe pjesëtarët që ai ka zgjedhur për stafin teknik, me përjashtim të zv/trajnerit De Jong. Që sot do të fillojnë kërkimet për skuadra të gatshme që të zhvillojnë miqësore gjatë periudhës së qëndrimit të seleksionit shqiptar në Antalia.