Vonohen tragetet nga Bari
Fluksi i emigrantëve që kthehen në atdhe për festat e fundvitit ka sjellë me vete dhe problemet e para. Emigrantët, të lodhur nga orët e gjata të qëndrimit në tragete shprehen të pakënaqur për menaxhimin e situatës nga autoritetet portuale të Barit, ndërsa tragetet që lidhin Durrësin me këtë qytet italian kanë mbërritur në kalata me 3-4 orë vonesë. Ndërkaq, fillimi i kësaj fundjave ka sjellë në Durrës mbi 13 mijë pasagjerë dhe qindra automjete. Vetëm gjatë paradites së djeshme, në port janë ankoruar 4 tragete, ndërsa i njëjti numër tragetesh ka mbërritur pasditen vonë dhe në mbrëmje. Të gjithë me kapacitet të plotë. Po tragetet kanë mbërritur me vonesë dhe këtë të shtunë. E ndërsa në Portin Detar të Durrësit janë marrë masat për të përballuar fluksin e, duke siguruar procedura të përshpejtuara, emigrantët ankohen se në Portin e Barit situata është kaotike. Sipas deklarimeve të emigrantëve menjëherë pas zbarkimit nga tragetet, pasagjerët janë lënë për orë të tëra në pritje, pa u dhënë asnjë shpjegim. "Për të kërkuar falje për këto vonesa as që bëhej fjalë", thotë i mërzitur Hamzai, një burrë 40-vjeçar që ka ardhur me të bijën në Shqipëri.