Kukësi gëlon nga kosovarët që kthehen nga mërgimi
Mijëra emigrantë kosovarë, që punojnë në Perëndim, kthehen për festat e fundvitit në shtëpitë e tyre, duke shënuar një fluks intensiv të lëvizjes në kufi. Në doganën e Morinit mësohet se vetëm dy ditët e fundit kanë kaluar kufirin Shqipëri-Kosovë mbi 3 mijë njerëz, si dhe rreth 500 automjete. Për të lehtësuar lëvizjen janë ngritur që para një viti sportele rezervë, ku punon një personel shtesë i kualifikuar. Emigrantët tregojnë pasaportën në sportel ku regjistrohet thjesht emri i tij, targa etj., ndërkohë që një polic tjetër i bën shpejt e shpejt një kontroll automjetit. Kosovarët sjellin me vete nga Perëndimi edhe mjete motorike, të cilat zakonisht i lënë në Kosovë, ndërsa kthimin e në vendet e punës i bëjnë kryesisht me rrugë ajrore. Në sportelet e kontrollit të dokumentacionit pjesa më e madhe e tyre tregojnë pasaporta të vendeve ku punojnë prej shumë kohësh, por një numër i tyre heziton ta tregojë një dokument të tillë, për faktin se aty shqiptarët cilësohen si ish-jugosllavë... Ata preferojnë të tregojnë një tip letërnjoftimi të emërtuar si dokument udhëtimi lëshuar nga UNMIK, i cili ka vlerën e një dokumenti të përkohshëm. "Ky qoftë kalimi i fundit me dokument të përkohshëm apo të huaj, do Zoti tash do të kemi pasaportat e shtetit të ri të Kosovës!", thotë një 40-vjeçar nga Prishtina, me emrin Elbasan, i cili vinte nga Spanja.
Klandestin në vendlindje
Një emigrant nga Malisheva, 35 vjeç, ruan ende një pasaportë të ish-shtetit jugosllav dhe mu për këtë arsye interesohet nëse ka ndonjë mundësi për të kaluar kufirin nga mali, jo nga trau. "Nuk dua të tregoj dokumentin jugosllav. Për 20 euro gjobë, më mirë po dal klandestin", thotë ai, si pa të keq, mu në sy të policëve. Aty dikush e sqaron me dashamirësi se, deri pra një viti mund të gjeje persona të tillë nga fshati Morin, që bënin këtë punë, por tani zor se merret kush me këtë punë.
Rruga
Rruga nga Durrësi deri në Morin këto ditë zgjat më shumë se zakonisht. Temperaturat e ulëta dhe akulli e kanë vështirësuar tej mase udhëtimin. Edhe drejtuesit e autobusëve të linjës nga Tirana për Prishtinë e pohojnë një gjë të tillë. "Kemi frikë prej Qafës së Malit, sepse ka akull", thotë një shofer.
Në segmentin e rrugës Rubik-Fushë Arrëz-Kalimash, ka probleme për shkak se në shumë vende rruga ka ngrirë nga akulli. Fadromat ndihmojnë herë pas here, kur rruga bllokohet, ndërsa disa punëtorë hedhin nga një kamion skorie dhe kripë në vende të rrezikshme me akull, por ndërhyrja nuk është gjithnjë e mundur. "Rruga tepër e ngushtë. Nuk lë shumë hapësirë për ndihmë", tha drejtuesi i një fadrome. Ndërkohë në këtë segment, veçanërisht në Qafëmali dhe Shëmri, ka një monitorim të pandërprerë nga grupe të policisë me stacione të vendosura në vende që kanë qenë problematike për aksidente. Vështirësia shtohet gjithashtu edhe në segmentin Fushë-Dukagjin-Kukës-Morin, për shkak të punimeve në autostradë. Në mënyrë të veçantë, nga Rexhepaj në Morin, firmat ndërtuese nuk janë kujdesur shumë për rrugën ekzistuese, ku vazhdon të kryhet një fluks i dendur lëvizjeje në dy kahet. Por shoferët, e në rastin tonë emigrantët kosovarë që kthehen nga Perëndimi, e shohin me admirim dhe me shpresë ndërtimin e autostradës.