E Diel, 1 Nëntor 2026

Depresioni, vetëvritet 22-vjeçarja

Regjistrohet vetëflijimi i parë për këtë vit në Durrës. Një e re nga fshati Xhafzotaj i rrethit të Durrësit është ndarë nga jeta si pasojë e përdorimit të tabletave helmuese. Lorena Aliaj ka mbërritur në urgjencën e spitalit rajonal të Durrësit në një gjendje tepër të rënduar. Sipas mjekut Gazmend Demiri, vajza ka qenë pa puls dhe pa tension dhe pas trajtimit me serum është dërguar për trajtim të mëtejshëm në reanimacion, por nuk ka mundur të mbijetojë. Natën e së premtes familja Aliaj kishte festuar ditëlindjen e nënës së viktimës. Pas kësaj, sipas babait të vajzës, Lorena 22-vjeçare është larguar për në dhomën e saj bashkë me të motrën. Sipas familjarëve të saj, mëngjesin e djeshëm, Lorena është ankuar për shqetësime shëndetësore dhe ata menjëherë e kanë dërguar në spitalin rajonal të Durrësit. Ndërkohë, për mjekët e spitalit të Durrësit situata e vajzës ka qenë e qartë. Gjendja e saj shëndetësore dhe vdekja ka ardhur si pasojë e marrjes së një sasie të konsiderueshme fostoksine. Me gjithë ndërhyrjen mjekësore, nuk është arritur shpëtimi i saj. 22-vjeçarja ka gjetur vdekjen, ndërsa burimet policore bënë të ditur se ky është një tjetër rast vetëhelmimi. Nga hetimet e para rezulton se viktima kishte tentuar të vetëhelmohej edhe para disa ditësh, po ndërhyrja në kohë e kishte shmangur tragjedinë. Dyshohet se një lidhje dashurore e dështuar të jetë shkaku që e reja ka zgjedhur vetëflijimin. Gjithsesi, po hetohet për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan drejt vdekjes të renë. Ndërkohë, mjekët durrsakë apelojnë për situatën dhe kërkojnë ndërhyrjen e strukturave shtetërore për të ndaluar shitjen e lirë të lëndëve helmuese. Sipas tyre, tabletat që shkaktojnë vdekjen duhet të tregtohen në mënyrë të kontrolluar dhe jo në tregun e lirë, pasi rastet e vdekjeve nga përdorimi i tyre, kryesisht i fostoksinës, e njohur ndryshe si helm kundër minjve, kanë ardhur në rritje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›