Vlorë, fluks normal i emigrantëve
Edhe Porti i Vlorës është përfshirë dje nga vala e ikjes së emigrantëve. Afro 2500 emigrantë që kishin ardhur për të kaluar festat e fundvitit në vendlindje udhëtuan dje drejt vendeve të tyre të punës në Itali, me tragetet që përshkojnë linjën detare Vlorë-Brindisi. Emigrantët, si dhe 800 autovetura, udhëtuan me tre tragetet e kësaj linje: "Veronika Line", "Kapiten Aleksandros" dhe "Red Star". Ky është fluksi më i madh i emigrantëve që udhëtojnë për në Itali përmes Portit të Vlorës gjatë ditëve të para të këtij viti. Por, megjithatë, gjendja në mjediset e portit ishte normale, për shkak të masave që janë marrë për të përballuar fluksin e këtyre ditëve. Munguan radhët e gjata të automjeteve dhe të pasagjerëve, që prisnin për t‘u imbarkuar në tragete. Këtu ka ndikuar edhe fakti se nisja e trageteve realizohet në orë të ndryshme, në bazë të një grafiku të studiuar, që merr parasysh flukset e pazakonta të emigrantëve.