E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, digjet vila e Qazim Mulletit

Një zjarr i fuqishëm ka djegur pothuajse plotësisht vilën e vjetër të ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit. Flakët kanë përfshirë banesën dykatëshe në orët e mesditës së djeshme, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz. Menjëherë pas fatkeqësisë ka ardhur edhe reagimi i familjarëve që banonin aty, të cilët janë shprehur se zjarri mund të jetë vënë qëllimisht. Kjo ka vënë në lëvizje strukturat e policisë, të cilët kanë zbuluar se disa herë ishin shkaktuar konflikte, pasi disa banorë kërkonin që në atë zonë të ndërtohej një pallat i ri.

Banorët e rrugës "Qemal Stafa", pranë tregut të biçikletave, janë tmerruar dje kur kanë parë flakët në banesën e familjes së Qazim Mulletit. Menjëherë kanë njoftuar shërbimet e zjarrfikësve, të cilët janë nisur për në vendin e ngjarjes. Por, ata janë vonuar mbi gjysmë ore për të mbërritur në vendin e ngjarjes, duke sjellë kështu djegien pothuajse të plotë të vilës dykatëshe, që ishte përpirë nga flakët. Zjarrfikësit janë munduar t‘i shuajnë ato, por u janë dashur rreth dy orë për ta izoluar zjarrin. Nga ana tjetër, në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe forcat e policisë së kryeqytetit, të cilët kanë bërë evakuimin e banorëve përreth vatrës së zjarrit nga frika e ndonjë rreziku të mundshëm për djegien e tyre.

Megjithatë, nga masat e marra, policia ka mundur të evitojë viktima nga ky zjarr. Sipas të dhënave, flakët kanë rënë në një vilë dykatëshe me çati, ku banonin katër familje. Fillimisht flakët janë parë në katin e parë të vilës, ndërkohë që shumë shpejt janë përhapur edhe në katin e dytë, e pothuajse në të gjithë ambientin e saj. Sipas policisë, vila e djegur mban numrin 123 dhe njihet ndryshe si vila e ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Në ambientet e saj banonin anëtarët e familjes Mulleti, familjes së Thanas Çiços, Ismail Bazes dhe Altin Islamit. Të katër këto familje kanë shpëtuar nga flakët, ndërkohë që dëmet materiale arrijnë një vlerë tepër të lartë.

Familjet që janë dëmtuar nga flakët e djeshme, menjëherë kanë ngritur dyshimet se ato mund të jenë shkaktuar qëllimisht nga ndonjë person. Sipas tyre, prej kohësh ata janë në konflikt me disa banorë përreth, për shkak të ndërtimit të një pallati. Banorët e tjerë kanë kërkuar që poseduesit e banesës së Qazim Mulletit të pranojnë shembjen e saj për të ndërtuar një pallat të ri, ku mund të përfitonin disa apartamente. Por, poseduesit e vilës nuk kanë pranuar, duke e cilësuar këtë objekt me veçanti kulturore, kështu që mes tyre kanë lindur konfliktet. Kjo i shtyn familjarët e kësaj vile të dyshojnë se zjarri të jetë vënë qëllimisht.

Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka vlerësuar ankesat dhe ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, duke mos lënë mënjanë as dyshimet e ngritura. Paraprakisht, policia tha se dyshohet se zjarri është shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›