Rruga e armëve Kosovë-Shqipëri
Brenda një kohe të shkurtër, Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzon në gjykatë një tjetër dosje të trafikut të armëve Kosovë-Shqipëri. Në bankën e të akuzuarve do të ulen Mondi Myftari dhe Edi Kani, të cilët janë arrestuar gjatë operacionit "Cikloni 3". Për një periudhë ata u hetuan në bashkëpunim me disa oficerë ushtrie që tentuan të dërgonin municione në Kosovë. Pikërisht organizatori dhe kreu i trafikut mendohet të jetë një kosovar, i cili dërgonte në Shqipëri pistoleta dhe merrte fishekë. Pas një hetimi të plotë nga grupi hetimor i Krimeve të Rënda është arritur të zbardhet e gjithë linja, ndërsa dhjetëra të pandehur po presin fillimin e seancave gjyqësore. Në lidhje me veprat penale të Myftarit dhe Kanit, akuza tha se regjistrimi i procedimit penal për këta persona është kryer në datën 23 shkurt 2007 në bazë të materialeve të ardhura nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme. Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se më datë 17 prill, rreth orës 19.16 minuta, nga ana e njësisë operacionale në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar janë arrestuar në flagrancë të pandehurit Mondi Myftari dhe Edi Kani, të cilëve u janë sekuestruar një sasi prej 8 pistoletash të markës "Zastava", të kalibrit 6.35 mm. Oficerët e policisë gjyqësore ishin autorizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të vëzhguar lëvizjet e të pandehurit Mondi Myftari, pasi kishte të dhëna se ky i pandehur merrej me trafikimin e armëve të zjarrit. Njësitë operacionale, të autorizuar për të kryer vëzhgimin e lëvizjeve të të pandehurit Myftari, konstatuan se rreth orës 19.16, në datën 17 prill 2007, i pandehuri Edi Kani del nga një pallat në afërsi të rrugës "Don Bosko" në Tiranë me një qese të bardhë në dorë, ku brenda saj kishte 6 pistoleta tip "Zastava", të kalibrit 6.35 mm dhe hipën në një makinë tip "Wolkswagen", me targa BE 404 LB, i ndjekur nga pas nga i pandehuri Mondi Myftari, i cili numëronte një sasi parash. Sipas prokurorisë, në momentin që të pandehurit janë futur në makinën e mësipërme, nga ana e punonjësve të njësisë operacionale është bërë bllokimi dhe kontrolli i tyre. "Nga ky kontroll, të pandehurit Edi Kani i është gjetur qeska që mbante në duar, ku brenda saj ndodheshin gjashtë pistoletat të tipit ‘Zastava‘", thuhet në dosjen e prokurorisë. Sipas saj, gjatë momentit të bllokimit dhe nxjerrjes jashtë nga makina e mësipërme të të pandehurve nga ana e punonjësve të policisë, Edi Kani ka hedhur një pistoletë "Zastava" që mbante të fshehur në trup, në një pusetë afër vendit të bllokimit. "Këtë fakt, i pandehuri Edi e ka shpjeguar gjatë deklarimeve të dhëna më pas në cilësinë e personit nën hetim, si dhe është gjetur e sekuestruar gjatë këqyrjes së këtij vendi nga policia gjyqësore", thuhet në kërkesën për gjykim. Më tej vijon se pas nxjerrjes së tyre nga makina "Wolkswagen", pronë e Mondi Myftarit, punonjësit e njësisë operacionale i kanë hipur në automjetin e policisë dhe i kanë dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Gjatë rrugës, në këtë automjet Edi Kani ka hedhur brenda saj, fshehurazi, një pistoletë tjetër "Zastava" me kalibër 6.35 mm të cilën e kishte fshehur në trup. "Ky fakt u konstatua të nesërmen, në datë 18 prill nga punonjësit e njësisë operacionale.
Në bazë të aktit të ekspertimit të Institutit të Policisë Shkencore rezulton se tetë pistoletat janë teknikisht në gjendje të rregullt dhe me to mund të realizohet qitje normale", përfundon dosja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Prokuroria i dërgoi UMNIK-ut një letërporosi
Kosovari, "truri" i trafikut të municioneve
Të arrestuarit e operacionit të koduar "Cikloni 1", të cilët po tentonin të kalonin për në Kosovë mijëra fishekë, kanë dëshmuar në gjykatë se ishin njohur me një kosovar në Milot në tregun e makinave. Gjatë pazarit të makinave, shtetasi kosovar, pasi i ka parë të veshur me rroba ushtarake, i ka thënë se i nevojiteshin disa fishekë, pasi gjendja në Kosovë sa vinte dhe përkeqësohej. Ata kanë rënë dakord për të gjitha kushtet e vendosura nga kosovari dhe i kanë premtuar se do t‘i gjenin fishekët. Një nga të arrestuarit tregoi se për gjashtë muaj ka mbledhur në fshatrat e Beratit dhe Fierit fishekë pas trazirave të ‘97-ës për në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe ka mbledhur rreth 57 mijë fishekë, ndërsa i ka sistemuar në një qendër në qytezën e Urës Vajgurore në Berat. Sipas dëshmisë, kosovari ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe i kërkonte fishekët Lames. Për të përshpejtuar kërkimin ka rënë në ujdi me Medi Hasanin, Arif Maten dhe Gramoz Bendon, ndërsa me Nasi Strorin i ka dhënë një rrogë prej 12 mijë lekësh të vjetra në ditë për ruajtjen dhe ngarkimin e kamionëve. Në bazë të hetimeve të mëvonshme u vërtetua se fishekët janë marrë në depot e reparteve ushtarake në Berat. Gjithsesi, hetuesit thanë se në kërkim është shpallur kosovari që ka porositur fishekët. Mësohet se fishekët e sekuestruar në Lushnjë do të këmbeheshin me pistoletat "Blown" të sekuestruara në qytetin e Kukësit. Dyshohet se Medi Hasani, një nga të arrestuarit e grupit të oficerëve, mund të ketë lidhje me Bashkim Dervinën, i arrestuar teksa transportonte 22 pistoleta për në Shqipëri.
Çmimi
95 euro për një pistoletë
Prokuroria tha se për çdo pistoletë trafikantët shqiptarë paguanin 95 euro, ndërsa trafikantët nga Kosova arrinin të blinin një fishek model 56 me çmimin e 20-50 lekë copa. Ende nuk është përcaktuar qartë linja e trafikut, si dhe për pritësit e "mallit" në Kosovë. Organizatori kosovar nuk është identifikuar, pasi gjatë marrjes në pyetje, të arrestuarit nuk kanë përmendur emra, duke anashkaluar pyetjet e grupit hetimor. Ata thanë se shtetasit kosovarë janë paraqitur me pseudonime, duke e vështirësuar gjetjen e tyre.