E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, në pesë ditët e para të vitit tre të vdekur në aksidente

Në pesë ditët e para të vitit 2008 në Shkodër janë shënuar tre aksidente me tri viktima. Viktimat e aksidentet në numër nuk i dallon asgjë nga numri i viktimave të një lufte për më tepër kur te ne kjo luftë po bëhet pa armë, por me automjete. Shkodra mbetet një ndër zonat ku aksidentet me vdekje janë më problematiket. Kështu, më datë 2 janar, një grua 45 vjeçe, Lirie Kepi, vdes pas daljes nga rruga të automjetit me të cilin ajo po udhëtonte së bashku me të shoqin ku ky i fundit plagoset lehtë. Vetëm dy ditë më pas, më datë 4 janar, dy djem nga Shkodra, Pëllumb Tefa e Marian Ndoi, vdesin në vend, pasi automjeti i tyre tip "Benz" me targa të Tiranës ka përfunduar në një kanal tre metra të thellë pas disa saltrove në vendin e quajtur "Harku i Bërdicës". Aksidenti në fjalë është klasifikuar si ndër më të rëndit nga policia, pasi trupat e viktimave janë nxjerrë pas 40 minutash nga automjeti. Të dy aksidente në fjalë kanë ndodhur natën në aksin rrugor Shkodër-Lezhë. Një superstradë kjo që i mungon krejtësisht ndriçimi rrugor dhe pjesa më e madhe është pa barriera mbrojtëse.

Me gjithë punën e bërë nga policia, një vit më parë ku janë bllokuar rreth 1 mijë automjete ndëshkuar mbi 1500 drejtues automjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor sërish aksidentet shfaqen frikshëm në Shkodër. Sipas drejtuesve të qarkullimit rrugor, përveç shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, problem alarmant është mungesa e ndriçimit rrugor në rrugët nacionale dhe elemente mbrojtëse në rrugët malore për të mos rënë në humnera. Statistikat tregojnë se 80% e aksidenteve kanë ndodhur natën nga mungesa e ndriçimit rrugor dhe në zonat e thella malore ku mungojnë elementet mbrojtëse. Një ndër aksidente më të rënda të ndodhura vitin që shkoi jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë ka ndodhur në rrugën e Dukagjinit, ku furgoni me 13 persona përfundoi në një humnerë 700 metra poshtë. Nëse kjo rrugë do të kishte barrierë mbrojtëse metalike aksidenti në fjalë do të kishte pasur përmasa të tilla tragjike. Në gjithë Qarkun e Shkodrës, në zonat malore numërohen mbi 250 pika të rrezikshme për të cilat policia e Shkodrës shprehet se rrugët të tilla si ajo e Dukagjinit, Vermoshit, komunave të thella të Pukës apo disa akse rrugore nacionale fushore mungojnë barrierat dhe ndriçimi janë jashtë kontrollit të policisë. Po sipas drejtuesve të policisë rrugore Shkodër, të tilla rrugë duhen të bllokohen, të mos lejohet qarkullimi. Nuk bëhet fjalë për sinjalistikë, por janë rrugë mali të amortizuara buzë humnerave krejtësisht të pambrojtura dhe nga dita në ditë mundë të ndodhin aksidente nga më të rëndat.

Viti 2007 që sapo lëmë pas për Qarkun e Shkodrës paraqitet si një ndër vitet më problematike për sa u përket aksidenteve rrugore ku numri i të vdekurve nga aksidentet është i ngjashëm me numrin e viktimave të shkaktuara në trazirat e vitit 1997. Kështu që pas vitit 1990, viti 2007 shënon dhe numrin rekord të aksidenteve, shifrat flasin për statistika të ngjashme me atë të një lufte. Në vitin që lëmë pas numërohen 40 viktima dhe 122 të plagosur në 110 aksidente të ndodhura. Shifrat flasin se për çdo një javë ndodhin të paktën dy aksidente e në çdo 9 ditë një person vdes në Shkodër nga aksidentet rrugore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›