Napolitano siguron Topin: Italia, mike e ngushtë
Presidenti Bamir Topi ka marrë dje një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Italisë, Xhorxho Napolitano, i cili, pasi i uron Krishtlindjen dhe një Vit të Ri të lumtur mbarë popullit shqiptar, vë në pah kënaqësinë që do të takohet me kreun e shtetit shqiptar në Itali në shkurt 2008. Kjo do të jetë vizita e parë zyrtare që Topi bën në Itali pas zgjedhjes së tij në krye të shtetit shqiptar. Ndërsa në fund të vitit 2007, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bëri një vizitë në Vatikan, ku u prit nga Papa Benedikti XVI. Për vitin që sapo kaloi, Presidenti Topi ka bërë disa vizita në vende të ndryshme ku më e rëndësishme ishte ajo në fund të nëntorit në Greqi, ku u takua me Presidentin grek, Papulias, dhe Kryeministrin Karamanlis. Gjithashtu, zyra e shtypit pranë Presidentit bën të ditur se kreu i shtetit ka marrë edhe mjaft urime të tjera për Vitin e Ri. Presidentit Topi i kanë mbërritur urime me rastin e festave të fundvitit edhe nga Presidenti i Republikës së Tunizisë, Zine El Abidine Ben Ali, Emiri i Shtetit të Kuvajtit, Sheik Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah; nga Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, Mahmud Ahmadinexhad; drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, Zhak Diuf etj.