E Diel, 1 Nëntor 2026

Zënka banale, plumba kushëririt

Grindja për një mjet pune ka shkaktuar një të vdekur dhe një të plagosur brenda një familjeje në një fshat të rrethit të Beratit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Lybesh të rrethit të Beratit, ku dy vëllezër janë qëlluar nga një i afërm i tyre. Njëri prej vëllezërve ka gjetur vdekjen, ndërkohë që vëllai tjetër ka mbetur i plagosur rëndë. Burime të Komisariatit të Policisë Berat bënë me dije se ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës së djeshme në qendër të fshatit, në një lokal të fshatit. Altin Topi, banor i këtij fshati mësohet të ketë shkrepur një armë automatike ndaj dy vëllezërve Lavdosh dhe Fari Senka. Policia ndaloi pak orë pas ngjarjes autorin e krimit të rëndë.

Fari Senka, 26-vjeçari që mbijetoi nga kjo ngjarje e rëndë ka treguar nga dhoma e spitalit ku ndodhet nën mjekim intensiv gjithçka rreth ngjarjes, ndërkohë që vetë autori ka pranuar krimin duke zbardhur për policinë hetimet rreth kësaj ngjarjeje.

Vëllezërit Lavdosh e Fari Sena, 28 dhe 26 vjeç mësohet se ndodheshin në një lokal të fshatit ku janë grindur me 23-vjeçarin Altin Topi, i afërm mes tyre. Ky i fundit mësohet se ishte grindur me dy bashkëfshatarët e tij, vëllezërit Senka për shkak të një mjeti pune, frezë, që përdorej bashkërisht prej tyre. Vëllezërit Senka mësohet se kishin akuzuar bashkëfshatarin e tyre për prishjen e mjetit të punës gjatë kohës që ai e ka pasur në përdorim një ditë më parë. Autori mësohet se mbrëmjen e djeshme është shfaqur në lokalin ku ndodheshin vëllezërit dhe i ka kërkuar shpjegime rreth akuzave të ngritura ndaj tij. Një debat i tillë mësohet të jetë bërë dhe gjatë mesditës së djeshme gjatë kohës që vëllezërit i kanë kërkuar për punët e tyre mjetin bujqësor. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, vëllezërit kanë akuzuar 23-vjeçarin për dëmtimin e mjetit të punës, gjë e cila nuk është pranuar nga ky i fundit. Por, kur dukej se ngjarja ishte mbyllur me kaq, Topi në gjendje të dehur, është shfaqur në lokalin ku ndodheshin dy vëllezërit dhe ka kërkuar shpjegime rreth akuzave që Lavdosh e Fari kishin ngritur pa të drejtë ndaj tij. Ai ka nisur të grindet me dy vëllezërit, të cilët fillimisht janë munduar të shmangen prej tij, por pastaj kanë filluar grushtet. Dy vëllezërit mësohet se kanë qëlluar Topin duke u munduar ta largojnë nga lokali. 23-vjeçari është larguar, por është rikthyer sërish me një armë automatike. Ai ka qëlluar me një breshëri plumbash vëllezërit Senka dhe pasi i ka lënë të gjakosur në tokë është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Në ndihmë të të plagosurve kanë ardhur banorët e fshatit, të cilët kanë nisur drejt spitalit të Beratit të plagosurit. Por, vëllai më i madh nuk ka mundur të mbërrijë gjallë në spital, pasi ka ndërruar jetë gjatë rrugës si pasojë e plagëve të shumta të marra në trup. Ndërkohë që vëllai tjetër ka mbërritur në repartin e kirurgjisë në gjendje të rëndë për jetën si pasojë e plagëve të marra në afërsi të qafës dhe në shpatull. Mjekët i kanë dhënë ndihmën mjekësore të plagosurit, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur më pas ekspertët e policisë dhe dhjetëra uniforma blu, të cilat kanë nisur nga puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë. Pak orë pas ngjarjes, uniformat blu arrestuan në dalje të fshatit Lybesh, 85 kilometra larg qytetit të Beratit autorin. Atij iu bllokua dhe arma e krimit, një armë automatike kallashnikov. Policia tha se autori mësohet të ketë pranuar krimin gjatë marrjes në pyetje në dhomat e izolimit. Ai mësohet se do të përballet me akuzën e "vrasjes me dashje" dhe "armëmbajtje pa leje."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›