E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, skeleti i një ushtari alarmon policinë

Gjetja e një skeleti nga disa fëmijë në Lushnjë ka alarmuar policinë e këtij qyteti, por shumë shpejt është kuptuar se eshtrat i përkisnin një ushtari italian që në kohën e luftës italo-greke. Sipas policisë, pas gjetjes së një skeleti një vit më parë në një fshat periferik të rrethit të Lushnjës, një tjetër trup viktime është gjetur mbrëmjen e së premtes. Ndërsa kanë qenë të parët fëmijët ata që kanë zbuluar eshtrat e parakrahut të një trupi të pajetë qysh prej disa vjetësh, të afërmit e vogëlushëve kanë bërë zhvarrimin e gjithë trupit dhe e kanë formuar plotësisht atë. Burimet policore thanë se eshtrat e një trupi njeriu, që mendohet se është ushtar italian, janë gjetur në fshatin Fiershegan të rrethit të Lushnjës, pikërisht 12 kilometra larg nga qendra. Sipas të dhënave nga ky fshat, mësohet se si fillim kanë qenë disa fëmijë të vegjël ata që janë përballur me kockën e parakrahut të viktimës. "Fëmijët ishin duke luajtur në oborrin e shtëpisë. Si kureshtarë, kanë gërmuar në një shtresë shumë pak të vogël dhe kanë zbuluar në fillim kockën e krahut. Më pas ata erdhën e na lajmëruan ne", tregon banori Hajredin Gjata. Ndërsa vëllai i Hajredinit, Artani, ka treguar më tej se "të dy si vëllezër nisëm të gërmonin me qëllim gjetjen e eshtrave të tjera të trupit. Nuk duhej gërmim i thellë, pasi edhe shirat e javëve të fundit kishin bërë punën e tyre duke gërryer tokën e duke nxjerrë në sipërfaqe pjesë të ndryshme". Prej dy vëllezërve mësojmë se asnjë pjesë e trupit të gjetur nuk mungonte. Ata kanë formuar të gjithë skeletin dhe kanë lajmëruar uniformat blu të Lushnjës. Sipas vëllezërve Gjata, mësohet se ky skelet është gjetur vetëm 2 metra larg skeletit të vitit të shkuar, që Hajredin Gjata e ka zbuluar pas gërmimit të tokës për të mbjellë prodhime bujqësore. Në sipërfaqe të kafazit të kraharorit të skeletit të gjetur, banorët e fshatit kanë dalluar një medaljon identik me atë të gjetur në skeletin e vjetër, por që shenjat dalluese i kishte të fshira si shkak i dekompozimit nga kushtet atmosferike. Nga gojëdhënat e banorëve mësohet se në fshatin Fiershegan është zhvilluar një betejë në luftën italo-greke. Policia lokale ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë të gjitha pjesët e skeletit. Është thirrur mjeku ligjor, i cili nuk ka bërë asnjë ndërhyrje dhe sipas burimeve zyrtare policore mësohet se skeleti do të dërgohet drejt Institutit të Kriminalistikës në Tiranë për t‘iu nënshtruar ekspertizave dhe më pas do t‘i dorëzohet ndoshta edhe ambasadës italiane, me qëllim dërgimin e tij drejt familjes. Ndërkohë, banorët tregojnë se një vit më parë, kur dhe u zbulua skeleti i parë në fshatin Fiershegan ka mbërritur konsulli italian në Vlorë. Ai ka premtuar se qeveria italiane do të ndërhyjë për gërmimin e një sipërfaqeje të madhe të këtij fshati, me qëllim nxjerrjen dhe identifikimin e çdo ushtari të mundshëm, që mund të jetë varrosur në këtë zonë. Qysh prej një viti, konsulli nuk i është rikthyer premtimit, duke lënë në mëshirë të gjetjes rastësore të eshtrave nga banorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›