Deputetët e majtë: Duam të hetojmë dokumentacionin
Nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja, ka ftuar të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare, anëtarët e Komisionit Hetimor për rrugën Durrës-Kukës, deputetët e zonave elektorale, nëpër të cilat kalon kjo rrugë, si dhe çdo deputet që dëshiron e gazetarë, në një vizitë të organizuar nga Kuvendi në segmentin Rrëshen-Kalimash. Sipas njoftimit të bërë nga zyra e shtypit pranë Kuvendit, vizita do të bëhet ditën e shtunë, me qëllim inspektimin e punimeve të bëra deri më tani në këtë rrugë. Kërkesa për inspektimin e punimeve të kësaj rruge u bë para pak javëve në një nga mbledhjet e komisionit hetimor parlamentar të rrugës Durrës-Kukës, nga kryetari i këtij komisioni, deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj. Kërkesa e Biberaj u mirëprit nga deputetët e mazhorancës, anëtarë të këtij komisioni, por nuk u reflektua i njëjti entuziazëm nga anëtarët e opozitës në këtë komision. Të kontaktuar nga gazeta "Shqip" me disa nga anëtarët e këtij komisioni, për të mësuar nëse do t‘i bashkëngjiten këtij "udhëtimi turistik", përgjigjja ishte negative, jo. Sipas tyre, ata nuk zbatojnë urdhrat që Kryeministri Berisha i ka dhënë nënkryetarit Beja. Për opozitën, aktualisht nuk shihet si e domosdoshme kryerja e këtij inspektimi, pasi nuk shërben për hetimet që ata po kryejnë në komisionin hetimor. Për "Shqip", ata theksojnë se në komisionin hetimor nuk po hetojnë nivelin e punimeve, nëse janë kryer me cilësi apo jo, por po hetojnë abuzimet që janë kryer me tenderat dhe mungesa e një projekti konkret. Dokumentet nuk kanë mbërritur në komisionin hetimor, megjithëse afatet e punës së tij zyrtarisht tashmë kanë përfunduar. Kohë, e cila u shpërdorua kot, pasi institucionet përkatëse nuk kanë sjellë asnjë dokument për ta shqyrtuar, megjithëse kërkesat e opozitës janë paraqitur me shkrim në komision dhe më pas ato u janë përcjellë këtyre institucioneve. Inspektimi që po kërkon të bëjë mazhoranca, sipas opozitës, nuk është asgjë tjetër veçse një shou qesharak për të mbuluar abuzimet e mëdha që janë kryer në kurriz të kësaj rruge.