E Diel, 1 Nëntor 2026

Pragu elektoral, beteja mes partive të vogla

Partia Demokratike do të japë në fund versionin e saj zyrtar në lidhje me pragun elektoral, ndërkohë që aktualisht është duke matur pulsin e partive të vogla aleate të saj. Lidhur me sistemin elektoral, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, pohoi se sistemi më i mirë është ai që ofron mundësi konkurrimi të mirëfilltë, konkurrim vlerash në çdo subjekt politik, pavarësisht sa e madhe apo e vogël është partia ku ata bëjnë pjesë. "Ngritja ose jo e pragut elektoral nuk fsheh asnjë qëllim tjetër, përveç përjashtimit politik jo të partive politike, por të mbi 30 për qind të shqiptarëve që nuk besojnë në politikën e vetëm dy partive, pa dashur të shtoj këtu edhe 45 për qind të tjerë, që nuk shfaqin vullnet apo nuk besojnë sot në politikë". Edhe Lëvizja demokristiane ka kërkuar që pragu të bëhet 3-5%, duke kërkuar një sistem të pastër proporcional. Partia Demokristiane ka bërë me dije dje se është duke përgatitur paketën për reformën elektorale. Sipas PDK-së, vendi ynë duhet të ketë një sistem

proporcional-rajonal në shkallë vendi. PDK ka propozuar dje që

pragu elektoral të ketë një tendencë rritjeje deri në 3%. PDK deklaron se Kuvendi duhet të vërë si pikë të parë të punës së tij reformën elektorale. Kjo është jo vetëm një kërkesë e domosdoshme që Shqipëria të shkëputet përfundimisht nga praktikat negative të zgjedhjeve, por edhe sepse ky është një rekomandim serioz i Bashkimit Evropian, SHBA, dhe miqve tanë perëndimorë.

"Zgjedhjet në Shqipëri, duke përjashtuar disi zgjedhjet e 2005, dhe deri në një farë mase zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007, nuk kanë prodhuar atë legjitimitet të pranuar dhe të kërkuar nga faktorët politikë në vend, por edhe nga ndërkombëtarët", thuhet në komunikatën për shtyp të PDK-së. Duke iu referuar komunikatës së PDK-së, sistemi aktual elektoral është miks (mazhoritar+ proporcional), i cili ka sjellë jo pak probleme. Për këtë arsye PDK deklarohet se Shqipëria duhet të ketë një sistem proporcional-rajonal në shkallë vendi. Sipas saj, ky sistem ul tensionet e krijuara gjatë dhe pas procesit zgjedhor, si dhe siguron një nivel më të lartë përfaqësimi në Parlament. Një çështje tjetër është problemi i pragut elektoral. "Për të mos pasur parti artificiale që vegjetojnë nëpërmjet skemave të Dushkut, jemi të mendimit se ai duhet riparë me tendencë rritje deri në 3%", thuhet në komunikatën për shtyp të demokristianëve. PDK është e mendimit se duhet të ndryshojnë edhe komisionerët politikë, të cilët deri tani nuk kanë garantuar legjitimitetin e zgjedhjeve, por e kanë dëmtuar atë. Për të pasur një proces zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm, PDK gjykon se duhet të bëhet menjëherë përmirësimi i regjistrit të gjendjes civile, bërja efektive e numrit personal të çdo qytetari, riorganizimi i sistemit të adresave dhe lidhja e këtij sistemi me regjistrin civil, intensifikimi dhe regjistrimi i pasurive të çdo pasurie të paluajtshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›