Deputeti, KQZ certifikon mandatin e Brahos
Spartak Braho është zyrtarisht deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një mbledhjeje me dyer të mbyllura, i ka dhënë mandatin e ligjvënësit të ri përfaqësuesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Anëtarët e institucionit të menaxhimit të zgjedhjeve kanë verifikuar listën në proporcional të subjektit Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Braho rezulton që të ketë kandiduar në zonën elektorale numër 62. Sipas rezultatit të 3 korrikut, kandidati i Partisë Demokratike, Blerim Çela, ka marrë 4025 vota, kandidati i Partisë Socialiste, Asllan Haxhiu, 3.631, ndërsa kandidati i LSI-së, Spartak Braho, mori 3.564 vota. Si subjekt politik në proporcional, Lëvizja Socialiste për Integrim mori 3.139 vota në këtë zonë. Mandatimi i Brahos si deputet nga KQZ-ja erdhi pas tërheqjes së deputetit të LSI-së, Sabit Brokaj, në mënyrë vullnetare. Pak ditë më parë ai shprehu publikisht pakënaqësitë ndaj klasës politike në këto 17 vjet dhe u tërhoq. Zgjedhja e Brokajt ishte realizuar përmes listës së partisë në proporcional dhe sipas Kodit Zgjedhor vendi bosh plotësohej nga pasardhësi në këtë listë. Në rastin konkret këtë kusht të legjislacionit zgjedhor e përmbushte kandidati për deputet Spartak Braho. Ky i fundit, nuk e ka për herë të parë mandatin e deputetit, për shkak se ka ushtruar detyra të rëndësishme, deri kryetar i Komisionit të Ligjeve para 3 korrikut 2005.