E Diel, 1 Nëntor 2026

Reformat, Berisha, kokë më kokë me aleatët

Politika pagëzon muajin shkurt si muaj negociatash. Bashkëpunimi PD-PS për reformën në drejtësi duket se ka lënë jashtë loje partitë e vogla aleate të spektrit të djathtë. Për këtë arsye, partia më e madhe në vend rikthen vëmendjen tek aleatët e saj. Kërkesës së tyre për mbledhjen e tryezës, PD-ja i përgjigjet me një takim kokë më kokë mes liderëve të partive. Për të shmangur konfliktet midis aleatëve, Berisha nuk do të mbledhë tryezë të përbashkët, por do të takojë në mënyrë individuale liderin e republikanëve, Fatmir Mediun, kryetarin e PDR-së, Genc Pollon, kreun e PDK-së, Nard Ndoka, kryetarin e PAA-së, Lufter Xhuveli dhe atë të PBDNJ-së, Vangjel Dulen.

Takime kokë më kokë

Burime pranë Partisë Demokratike dhe pranë Kryeministrit Berisha bëjnë me dije se shefi i mazhorancës do të takohet së shpejti kokë më kokë me ministrat dhe njëkohësisht edhe me kryetarët e partive aleate të PD-së. Takimet e programuara përpara Samitit të Bukureshtit, priten të bëhen në mënyrë individuale dhe jo në një tryezë të përbashkët me të gjithë krerët e koalicionit. Në qendër të vëmendjes do të jenë bisedimet në lidhje me reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Në këtë mënyrë duket qartë se partia më e madhe po përpiqet të evitojë tryezën e mazhorancës për të shmangur debatet për çështjet e tjera që kalojnë përtej reformave të kërkuara nga ndërkombëtarët, për t‘u bërë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ndërsa për reformën në drejtësi, mazhoranca duket se qëndron në të njëjtën linjë me opozitën, reforma zgjedhore dhe kryesisht caktimi i kufirit elektoral do të jetë thembra e Akilit në takimin që Kryeministri Berisha ka programuar këtë muaj me 4 ministrat e kabinetit qeveritar, njëkohësisht edhe aleatë të partive të vogla aleate. Berisha do të takojë gjithashtu edhe kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dulen, i cili përfaqësohet në qeveri nga ministri Kosta Barka. Oreksi i madh i aleatëve të vegjël duket se po administrohet shumë mirë nga partia në pushtet, për të penguar çdo kërkesë e ardhur nga aleatët, e cila lidhet me pakënaqësitë e ndarjes së pushtetit.

Reformat

PD-ja do të njohë aleatët me draftin dhe propozimet e saj lidhur me reformën në drejtësi. Deputetët e PD-së kanë ndarë të njëjtin qëndrim si ai i Kryeministrit Berisha një ditë më parë në lidhje me paketën e propozuar nga opozita mbi reformën në drejtësi. Sugjerimet e PD-së mbi këtë reformë, pasi të diskutohen brenda koalicionit të djathtë priten të shpërndahen së shpejti në selinë rozë, megjithatë ndryshimet priten të jenë të pakta dhe ngjashmëritë të shumta mbi këtë paketë. Deputetë të PD-së konfirmojnë se bashkëpunimi dhe konsensusi do të jetë fryma që do të karakterizojë këtë reformë. Partia Demokratike, gjithashtu, nuk e ka pranuar ngërçin që ka pushtuar reformën më të rëndësishme të vendit, atë elektorale. Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të rifillojë javën tjetër, ndërkohë që partia më e madhe në vend pohon gjithashtu se kjo reformë do të zgjasë përtej muajit prill, muaj në të cilin Shqipëria do të përballet me provën e saj më të madhe, atë të marrjes apo jo të ftesës në Samitin e Bukureshtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›