E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Reforma zgjedhore mund të degjenerojë

Ilir Meta paralajmëroi dje se pakti për reformën zgjedhore rrezikon të degjenerojë në një marrëveshje tërësisht të kontestuar. Sipas tij, kërkohet veprim i menjëhershëm i Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe transparencë maksimale. "Nuk mund të ketë sukses reforma zgjedhore, në rast se nuk do të ketë transparencë maksimale dhe në rast se do të vazhdohet me mentalitetin e deritanishëm që të dy partitë ta fillojnë zgjedhjen nga pozita favorizuese", vlerësoi Meta. Kreu i LSI-së mendon se ky do të ishte një gabim shumë i madh, ashtu sikurse do të ishte akoma më gabim që të shtyhet një marrëveshje, të paktën paraprake, për sa i takon reformës zgjedhore, sidomos sistemit, përpara Samitit të Bukureshtit. "Sepse kështu u dha një premtim nga ana e Kryeministrit Berisha se do të ketë disa arritje konkrete para këtij samiti", kujtoi Meta. LSI-ja shprehet e hapur për çdo lloj sistemi të ndershëm dhe përfaqësues, i cili realizon në mënyrë të ndershme dhe të pacenuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. "Njëkohësisht, LSI-ja, pavarësisht nga preferencat e saj, është e gatshme që të ofrojë konsensus për çdo sistem që do e ndihmojë demokracinë në vend që të zhvillohet më tej", u shpreh Meta. Ai mohoi që LSI-ja të ketë frikë nga ndonjë marrëveshje, ndërsa shprehu shqetësim se gjithë ky angazhim dhe preokupim edhe nga ana e ndërkombëtarëve për reformën zgjedhore, gjithë ky angazhim edhe nga opinioni publik i brendshëm mund të degjenerojë në një marrëveshje gjerësisht të kontestuar, gjë që nuk do të ndihmojë qëllimet e kësaj reforme elektorale. "Prandaj, themi që duhet më shumë transparencë dhe një bashkëbisedim me të gjithë faktorët politikë", konstatoi kreu i LSI-së. Duke iu referuar komenteve të Kryeministrit për raportin e KLSH-së, Meta tha se kemi të bëjmë me "një mentalitet autoritar, injorues për pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe kështu ndodh gjithmonë me zotin Berisha". Sipas tij, të gjithë e kanë vënë re karakterin e tij populist, kur merr spunto gjoja për iniciativa të mëdha, nisur edhe nga një telefonatë e thjeshtë apo nga një SMS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›