Vizita në Japoni, Berisha: Investoni në Shqipëri
Kryeministri Berisha u nis dje në mesditë për një vizitë zyrtare në Japoni. Së bashku me kreun e ekzekutivit janë edhe tre ministra të rëndësishëm të kabinetit, Lulzim Basha, Ridvan Bode dhe Genc Ruli. Në takimet e nivelit të lartë në Japoni, Berisha do të kërkojë nga biznesi japonez të investojë në Shqipëri. Gjatë ditës së sotme, delegacioni shqiptar do të takohet me Kryeministrin e Japonisë, Yasuo Fukuda. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha do të shprehë falënderimet e tij për ndihmën dhe mbështetjen e madhe që Japonia ka treguar për zhvillimin e Shqipërisë në fushën ekonomike dhe në fusha të tjera, si dhe do të diskutohet për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve. Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime edhe me ministrin e Financave, Fukushiro Nakaga, me ministrin e Ekonomisë dhe Tregtisë, Amari, kryetarin e Parlamentit, Yohei Kono, anëtarë të Parlamentit dhe Senatit të Japonisë, si dhe presidenten e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit, Sadako Ogata.