E Diel, 1 Nëntor 2026

F-ja është germë e brengosur

Pas largimit dy muaj më parë nga detyra e drejtorit të Bibliotekës së Beratit, i akuzuar si i antimajtë (qesh), Balil Gjini, ngjarjen e dytë të rëndësishme të kësaj periudhe e pati mbrëmë në promovimin e një libri me poezi të quajtur "Flarta të fluturta fjalësh". Siç shpjegon dhe në miniintervistën e mëposhtme, të gjithë brengën e tij ia adreson një germe, po ashtu gjithë brengë që është "f-ja". Eshtë pikërisht ajo, pa qenë e rëndësishme të jetë e vogël apo e madhe e shtypit, ose e dorës.

Shkrimtari, poeti dhe kritiku Agron Tufa, tha (dhe jo se patjetër duhet të thoshte diçka) se poezitë e Balilit janë të pazakonta në koncept. "Ai bën poezi mbi fjalën, germën, shenjat e pikësimit", tha Tufa dhe përmendi një prej poezive, ku pesë gishtat e dorës, autorit i përngjanin si pesë hoxhallarë me çallma. Sakaq, asnjë prej poezive të Gjinit nuk ka titull, por thjesht një shenjë grafike. Natyrshëm që nuk ka as pasqyrë lënde. Ai jeton në Berat, ku tashmë jep mësim në një shkollë, por ky qytet, nuk i ndërfutet fare në magmën e krijimtarisë. As Lazarati prej nga është. Dhe për të gjitha këto, ai thotë nga ca pak fjalë...

Përse poezitë i keni pa tituj?

Nuk është fort e rëndësishme kjo. Poezitë pa titull nuk janë risi e imja pa diskutim. Ajo që unë mendoj se është e re të libri, është mënyra e sintonimit; ndarja në tri cikle, ku thelbi i tyre, materia, lënda ka të bëjë me atë që quhet brengë e të papërkryerës dhe pengu i mosrealizimit. Këto tre kapituj kanë dalë në formën e tre "f"-ve, që shpalosin tri segmente. Të tre f-të kanë një dhimbje, nuk arrijnë të bëhen dot "e" të zëshme. Ato janë të shurdhëta, memece. Njëkohësisht f-ja ka një mister dhe forcë të jashtëzakonshme kulte, që fjala vjen, kur bashkohet me sh-në, krijon atë fëshfërimën e gjarprit që rrëshqet mbi bar, apo fëshfërimën e një fustani. Pra, ka shumë forca okulte te f-ja. Tjetër, të gjithë qeniet njerëzore janë vemje dhe bëhen flutura. Njeriu është flutur e gjatë rrugës bëhet krimb. Dhe në këtë rast, f-ja përveç lidhjes që ka me kuptimin e fjalës ka dhe kuptim simbolik. Kjo është pak a shumë bërthama e librit.

Si u ka ardhur kjo qasje, kjo kuptimësi e misterit të një germe?

Për mua, shumë gjëra duhet të vijnë në mënyrë instiktive, siç ka ndodhur dhe në këtë rast. Ka shumë njerëz që e kërkojnë (poezinë), në mënyrë të ditur, por për mua duhet të jetë instiktive. Poezia është një tunel i errët e në këtë tunel, ti vendos duart ku të të zënë ato për të gjetur rrugën. E në qoftë se nisesh me arsye të ftohtë në këtë rrugëtim të vështirë, mund të gabosh. Ndaj e kërkon atë me anë të instinktit.

Dhe mos duhet të quhet e dhimbshme kjo?

Jo nuk është e dhimbshme. Eshtë reale.

Kjo mënyrë për të kërkuar poezinë nuk duhet të jetë as e dhimbshme e as jo e tillë. Thjesht reale, kuptohet ashtu siç e mendoj unë. Sepse ka nga ata që i besojnë instinktit e disa që i besojnë arsyes. Ka që janë realistë e jo realistë apo thjesht intuitivë. Për mua, duke iu rikthyer instiktives them, se ajo mund të lërë gjurmë më shumë se arsyeja që i afrohet objektit, por nuk e zotëron atë tërësisht

Mund të shkruash poezi të mira edhe pa u quajtur domosdoshmërisht poet?

Absolutisht jo. Janë dy gjëra të kundërta.

Sakaq, ju jetoni në një qytet si Berati me nuanca misteri ngacmues gjithsesi. Luan rol kjo në krijimtarinë tuaj?

Jo, fare. Dhe unë jam kundër kësaj teze, sipas së cilës vendi ku jeton nganjëherë të shndërrohet në muzë. Poezia lind në kokë. Për shembull, Shekspiri ka shkruar "Tregtarin e Venedikut" pa qenë farë në Venedik. Ose Kafka ka shkruar për Amerikën pa qenë asnjëherë atje. Unë jam me tezën e Uajlldit, që "Poezia lind në kokën e autorit" dhe me thënien e tij të madhe: "Nuk është arti që duhet të imitojë realitetin, por realiteti ai që duhet të imitojë artin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›