Solidarizim ndërkombëtar me 11 artistë kosovarë
Të njëmbëdhjetë artistët kosovarë, të cilëve u është mbyllur ekspozita e tyre në Novi Sad nga disa segmente serbe po provokojnë përkrahje nga disa organizma arti në Evropë. Është galeria e Vjenës "Artmosfere" e përfaqësuar nga Rosa Reisamer që ka dërguar një letër të nënshkruar nga 147 artistë botërorë, ku është kërkuar nga Ministria e Kulturës e Serbisë dhe Drejtoria për Kulturë e Beogradit të mundësohet hapja e ekspozitës së artistëve kosovarë me titullin "Përjashtimi". "Ekspozita është një projekt i rëndësishëm për gjeneratat e reja në Serbi, të cilat kanë dëshirë të shohin, të bisedojnë dhe t‘i kuptojnë marrëdhëniet historike e ato aktuale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës", shkruan në letrën e dërguar nga galeria vieneze. Një nismë të ngjashme e ka ndërmarrë edhe "Druga Scena", një grup i organizatave të artit bashkëkohor, teorisë dhe aktivizimit, e cila i ka dërguar një letër mbështetëse organizatorëve të ekspozitës. "Druga Scena" e ka kritikuar ashpër sjelljen e organizatës djathtiste ekstremiste "Obraz". Në një debat të mbajtur dy ditë më parë në Beograd dhe të organizuar nga "Media Centar" dhe ku kanë marrë pjesë kuratorët e ekspozitës, historianë arti dhe të ftuar të tjerë, piktori serb, Zoran Çalija, tha: "Është absurde që në kohën e demokracisë nuk lejohet fjala publike dhe mendimi individual. Kam qenë i penguar ta shpreh atë dhe jam shoqëruar nga policia", ka thënë Zoran Çalija, duke theksuar se me gurë në dorë nuk ka kërcënuar askënd, por kjo ka qenë "pjesë e performancës së tij". Ekspozita e 11 artistëve kosovarë duhej të hapej më 7 shkurt në ambientet e galerisë "Kontekst", në bashkëpunim me Institutin për kulturat dhe teknologjitë fleksibile "Napon" (Novi-Sad) dhe galerinë "Rizoma" (Prishtinë). Gjysmë ore para se ta hapej, pjesëtarët të organizatës ekstremiste djathtiste "Obraz" kanë shqyer portretin e komandantit legjendar Adem Jashari, i cili ishte pjesë e veprës "Face to Face", e autorit Dren Maliqi. Në këtë ekspozitë do të paraqiteshin këta artistë kosovarë: Artan Balaj, Jakup Ferri, Driton Hajredini, Flaka Haliti, Fitore Isufi - Koja, Dren Maliqi, Alban Muja, Vigan Nimani, Nurhan Cehaja, Alketa Xhafa dhe Lulzim Zeqiri.