E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia, Topalli kërkon ndihmën e Kinës

Kryeparlamentarja e Shqipërisë ka kërkuar mbështetjen e Kinës për pavarësinë e Kosovës. "Kosova është një rast unik dhe duhet të trajtohet si i tillë. Pavarësia e Kosovës besoj se është çështje javësh", u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi zhvilluar ditët e fundit me Ambasadorin e ri të Kinës në Shqipëri, Wang Junling.

Burime zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë bënë të ditur se në këtë takim, znj. Topalli kërkoi mbështetjen e Kinës në zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës në shërbim të paqes në rajon e përtej tij. Nga ana e tij, ambasadori kinez në Tiranë nënvizoi se Kina mbështet çdo zgjidhje që siguron paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. Kryetarja Topalli tha se kujton me kënaqësi të veçantë vizitën dhe takimet shumë të suksesshme të saj në Kinë vitin e kaluar, si dhe përshtypjet më të mira për progresin e jashtëzakonshëm të Kinës. Ambasadori Junling u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në një nivel shumë të mirë dhe vizita e zonjës Topalli në Kinë ishte një kontribut në nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm.

Bashkëbiseduesit, sipas të njëjtave burime, ndanë mendimin se nivelit të lartë të marrëdhënieve politike duhet t‘i përgjigjet edhe vëllimi i shkëmbimit ekonomik. Ambasadori Junling vlerësoi faktin që Shqipëria njeh vetëm një Kinë. Autoritetet më të larta të shtetit shqiptar kanë filluar prej kohësh një seri takimesh me diplomatë të huaj, por edhe përfaqësuesit e shteteve të fuqishme, në përpjekje për të siguruar mbështetje për pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›