Vërejtjet e para të Thaçit
Në mbledhjen e parë zyrtare të Qeverisë së re të Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi ka paralajmëruar ministrat e kabinetit të tij që, në rast se nuk i përmbahen ligjit dhe nuk e respektojnë detyrën si obligim ndaj qytetarëve, do të ndëshkohen fillimisht nga ai, e më pas edhe penalisht. Në mbledhjen e qeverisë, që ishte e hapur edhe për media, Kryeministri Thaçi deklaroi para kabinetit ministror se pavarësia është shumë afër dhe se Kosova duhet të jetë e përgatitur për këtë ditë.
"Koha po ecën shpejt, vendimi për status po afrohet dhe ne duhet të jemi të gatshëm, shumë të përgatitur, shumë unikë. Unë kam besim se Qeveria e Kosovës, të gjitha institucionet e vendit, edhe opozita, do të punojnë maksimalisht që të presim këtë ditë të madhe". Ai tërhoqi vërejtjen se ministrat e Qeverisë nuk duhet ta kuptojnë postin e tyre si privilegj, por si obligim ndaj qytetarëve të Kosovës. Kryeministri Thaçi ka shprehur besimin e tij për përgjegjësitë, sinqeritetin dhe aftësitë profesionale të secilit ministër dhe zëvendësministër, por gjithashtu pohoi se si shef i ekzekutivit do të kryejë punën me përgjegjësi të lartë dhe do të krijojë kushte të mira për punë.
"Do të respektoj secilin prej jush dhe kjo qeveri nuk do të jetë e një partie politike apo etnie, por qeveri e Kosovës dhe e qytetarëve të saj", ka deklaruar Kryeministri Thaçi. Ai ka shtuar se do të kundërshtojë çdo tentim për të bërë dallime partiake ose etnike brenda kabinetit të tij. Kryeministri ka kërkuar nga të gjithë ministrat të jenë të kujdesshëm në shfrytëzimin e buxhetit të vendit, duke dhënë llogari për secilin cent të shpenzuar. "Buxheti është djersë dhe pasuri e qytetarëve tanë dhe duhet të jemi shumë të përgjegjshëm para tyre dhe para ligjit… Keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i buxhetit do të ndëshkohet nga unë dhe do të ndiqet me ligj", paralajëmroi ai.
Qeveria e tij, sipas Thaçit, shumë shpejtë do të nxjerrë rregulloren për shpenzimet e lejuara, duke besuar se me këtë do të ndalet periudha e shpenzimeve pa nevojë. Me qeverisjen e tij, Kryeministri pohoi se do të instalohet një mentalitet tjetër qeverisës me një disiplinë të shtuar dhe transparente. Që nga dita e shtunë, 12 janar, Kryeministri Thaçi kërkoi nga të gjithë Ministrat që të dorëzojnë raportet e shfrytëzimit të automjeteve. "Nuk guxohet që buxheti të shpenzohet për gjëra luksoze, kur dihet se ka nevoja të mëdha emergjente dhe njerëz në terren në gjendje të rëndë sociale".
Thaçi gjithashtu kërkoi punë të shtuar edhe nga i tërë stafi civil i Qeverisë, derisa premtoi se nuk do të ketë ndikim politik dhe partiak për asnjë punëtor të Qeverisë. "Nuk do të toleroj hakmarrje politike, revansh politik, por vetëm respektim të profesionalitetit dhe ligjit", u shpreh ai. Kryeministri i ri i Kosovës kërkoi nga të gjithë Ministrat, pa i përjashtuar edhe dy Zëvendëskryeministrat, që të rishikojnë buxhetin e vitit 2008, në mënyrë që t‘i koordinojnë harxhimet e tyre me mënyrë precize me Ministrinë e Financave. Ai po ashtu kërkoi edhe dorëzim- pranimin e gjendjes për secilën Ministri, si dhe planet e punës së Ministrave për 100 ditët e ardhshme të qeverisjes.
Intervista
"Kosova e pavarur, vendi
i të gjithë qytetarëve"
Gjatë një interviste për "Zërin e Amerikës", Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, premtoi që Kosova e pavarur do të jetë vendi i të gjithë qytetarëve të saj.
Jeni shprehur se pavarësia e Kosovës do të jetë përparësia e qeverisë suaj dhe keni thënë gjithashtu se do ta shpallni pavarësinë në bashkërendim me SHBA-në dhe BE-në. Kur pritet të ndodhë kjo?
Pavarësia e Kosovës, jo vetëm që do të jetë përparësia dhe fokusimi kryesor i qeverisë së Kosovës, por ajo do të jetë vetë jeta e qytetarëve të Kosovës, e ardhmja e tyre, përkushtimi i të gjitha institucioneve tona, përkushtimi i të gjithë spektrit politik e i gjithë qytetarëve të Kosovës, në periudha të ndryshme historike. Tani Kosovën e kemi përgatitur edhe për zyrtarizim të këtij realiteti të ndërtuar në qershor të vitit 1999, institucionet e Kosovës janë të përgatitura dhe unike për këtë; Kosova do të jetë një vend me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, me të drejta të barabarta, dhe të afirmuara për komunitetet jo-shqiptare, një vend i të gjithë qytetarëve të Kosovës; të gjitha përkushtimet e Kosovës do të jenë të koordinuara ngushtë me partnerët dhe miqtë tanë SHBA, BE dhe NATO-n. Jemi në një rrugë të mbarë, bota perëndimore na beson ne përkushtimet tona; edhe ne kemi besim të plotë se ky proces do të përmbyllet shumë shpejt dhe Kosova po e finalizon procesin e shtetndërtimit, sovranitetit dhe ndërtimit në një rendi demokratik. Shumë shpejt presim vendimin ndërkombëtar, fillimin e njohjes ndërkombëtare, një njohje kualitative dhe të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare, SHBA-së BE-së dhe të vendeve përreth, por në të njëjtën kohë, edhe një njohje sa më të madhe numerike.
Një pyetje lidhur me kohën kur do të ndodhë pavarësia. A do te prisni ju për përfundimin e zgjedhjeve ne Serbi për ta shpallur pavarësinë e Kosovës?
Zgjedhjet në Serbi nuk do të ndikojnë asesi në Kosovë; ne duam të kemi një Kosovë të pavarur dhe demokratike, natyrisht në një rajon demokratik; do të funksionojmë si shtete të veçanta, edhe Kosova, edhe Serbia, si dy fqinjë me të kaluar të hidhur, por me shpresë për të ardhme të relacioneve demokratike; Prishtina do të ndërtojë raporte të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje, edhe me Maqedoninë, me Shqipërinë dhe me Malin e Zi, por pavarësia e Kosovës, patjetër do të instalojë, paqe, stabilitet dhe hapje të procesit integrues të rajonit në strukurat e BE-së dhe ato euroatlantike. Është me interes edhe për Kosovën që të ketë demokraci në Serbi, që Serbia t‘i kthehet vetevetes dhe asesi të mos mbetet peng e së kaluarës, e mentalitetit të shekullit të së kaluarës; prandaj çdo zhvillim demokratik atje, është një zhvillim i mirë edhe për Prishtinën, edhe për komunitetin e serbëve në Kosovë, sepse ne e respektojmë interesimin legjitim të autoriteteve të Beogradit, përmes institucioneve të Kosovës, edhe për komunitetin serb në Kosovë, por është me rëndësi sot, që autoritetet serbe, lokale të Kosovës, kanë marrë pjesë disa prej tyre në zgjedhjet e lira dhe demokratike të 17 nëntorit, janë pjesë e Parlamentit të Kosovës, janë pjesë e qeverisë sime, janë dy ministra, të cilët do të udhëheqin dikastere të rëndësishme, dhe Kosova ka ndërtuar, lirisht mund të themi, insitucione stabile, respektive dhe shumëetnike, me perspektivë të sigurtë.
Ju, por edhe udhëheqës të tjerë të Kosovës, keni premtuar për mbrojtjen e pakicave serbe në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e banorëve serbë kanë thënë se nëse Kosova shpall pavarësinë, ata do të largohen prej andej. Çfarë masash konkrete do të marrë qeveria juaj për mbrojtjen e të drejtave të pakicave?
Pavarësia e Kosovës nuk është në intersin dhe të mirën e vetëm shqiptarëve, pavarësia e Kosovës është në interesin e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallime etnike; të drejtat e serbëve janë të respektuara dhe të garantuara prej institucioneve të Kosovës, në kuptimin më afirmativ të mundshëm dhe mund të them se ne kemi marrë përgjegjësi për respektimin e minoriteteve, më tepër se çdo vend, mund them, lirisht, edhe në Evropë, të drejta këto të garantuara edhe me kushtetutën e re të Kosovës; mund të ketë opinone të ndryshe, opinione, të cilat duhen shikuar edhe me sy kritik, por edhe duhen vlerësuar. Insitucionet e Kosovës, qeveria e Kosovës, do të bëjnë punën më të mirë të mundshme dhe do të instalojnë kulturën e komunikimit, të dëgjimit, të vizitave, për t‘i dëgjuar hallet, shqetësimet dhe problemet e komunitetit serb dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, ... që të investojmë në përmirësimin e relacioneve ndëretnike; është e rëndësishme të theksohet se ka dy vite, kur nuk ka incident ndëretnik, apo të motivuar mbi baza etnike, prandaj baza është e mirë, vullneti ekziston, përkushtimi po, dhe vizioni është shumë i qartë, për ndërtimin e Kosovës së pavarur dhe demokratike.
Çështja e statusit duket se ka lënë në hije problemet e tjera të mëdha, me të cilat ndeshet vendi, ekonomia, për shembull, duket se ka mbetur në plan të dytë, duke shkaktuar një sërë problemesh, mes tyre edhe papunësia e lartë. Çfarë mendoni të bëhet për zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë?
Çështja e statusit ka qenë në fakt, përkushtim i të gjithë spektrit politik kosovar, i institucioneve të Kosovës dhe mirëkuptim për këtë preokupim të gjithanshëm ka patur nga ana e qytetarëve të Kosovës dhe nga spektri politik kosovar. Për statusin politik do të punojmë të gjithë bashkarisht, por edhe për zhvillimin ekonomik. E thashë, që zgjidhja e çështjes së pavarësisë së Kosovës nuk nënkupton edhe tejkalimin e sfidave të tjera, me të cilat ballafaqohet vendi dhe qytetarët. Kosova po pavarësohet në proces të suksesit, por të një niveli shumë të ulët të zhvillimit ekonomik të vendit. E di dhe e njoh përgjegjësinë që kam marrë në këto momente të vështira, për të udhëhequr atë që më kanë besuar qytetarët e Kosovës, qeverinë e Kosovës. Ekonomia e Kosovës është në një nivel shumë të ulët, por unë dua të besoj në fillimin e ndryshimeve, të cilat jemi zotuar t‘i bëjmë, që ato do të hetohen shpejt në jetën e qytetarëve të Kosovës, për të mirën e vendit; prandaj ekipe të tëra të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë që kam në kabinetin tim, janë duke bërë projekte konkrete, që jemi zotuar edhe gjatë fushatës elektorale, për të filluar zhvillimin ekonomik, për të filluar reformat në ekonomi, politikë dhe legjislacion, për të filluar me projekte të qarta edhe me sektorin e energjetikës, pasi Kosova është në terr dhe ne jemi zotuar ta qesim në dritë...; kam besim se në këtë proces do të punohet gjithashtu edhe për infrastrukturën, që është tejet e dobët, por do të punojmë që të ketë një fillim të suksesshëm dhe do të kemi projekte konkrete për modernizimin e infrastrukturës; do të ketë reforma edhe në agrokulturë. Zgjidhja e statusit politik dhe pavarësia e Kosovës hap hapësirë të sigurtë edhe legale, për integrim edhe të insitucioneve, por edhe të Kosovës në strukturat e tjera ndërkombëtare, si edhe për përfitime financiare nga strukturat ndërkombëtare; fokusi kryesor i imi do të jetë edhe në edukim. E kam trajtuar dhe e trajtoj edukimin si ekonomi: një edukim i zhvilluar, i avancuar, që nënkupton edhe fillimin e zhvillimit eknomik; do të kemi edhe një investim që të kemi edhe qendra kompjuterike në çdo shkollë të Kosovës...; përkushtim do të kemi po ashtu në shëndetësi, por edhe për pensionistët, të cilët do të kenë një zyrë të veçantë në zyrën time, e cila do të merret me përmirësimin e jetës së pensionistëve; natyrisht, përkushtim do të kemi edhe për shoqatat e veteranëve të luftës, që gjithashtu do të kenë një zyrë pranë meje.
Një nga problemet shume te perfolura ne Kosove, eshte ai ai korrupsionit. A do të dalë qeveria juaj me një strategji për të luftuar korrupsionin?
Qeveria dhe unë personalsiht, jam zotuar që do jemi pa kompromis në betejën kundër korrupsionit. Secili nga ne ndjehet i turpëruar që Kosova është në vendin e katërt për korrupsion. Jemi zotuar që do ta bëjmë çdo qytetar që të ndjehet mirë që jeton në Kosovë, dhe jemi zotuar që ata të ndjehen mirë me punën, përkushtimin, dhe me respektimin e ligjit nga qeveria e re e Kosovës, të cilën unë do ta udhëheq; do të jetë toleranca zero në raport me korrupsionin, do të punojmë me reforma në legjislacion, nuk do të ndodhin revanshe, apo hakmarrje politike, do të ketë respektim të ligjit, gjithësesi, përkrahje e opozitës politike, nga unë në veçanti; më vjen mirë që është përkrahur porgrami i qeverisë sonë dhe që është përkrahur edhe nga opozita, prandaj, edhe shumica e Parlamentit të Kosovës, është një kabinet kredibil, i përgjegjshëm, i aftë profesionalisht, për të zabtuar qëllimin e vizionit të përcaktuar më herët... pra do të jetë pa kompromis në raport me korrupsionin dhe nuk do të toleroj të përsëriten fenomene të tilla nga autoritete aktuale, të cilët janë zotuar se do të punojnë me përgjegjësi më të lartë kombëtare dhe politike...
Zoti Thaçi, edhe për një pyetje. Qyteti i Mitrovicës, "de facto" është i ndarë. A ekziston mundesia e integrimit te ketij qyteti, apo pjesa veriore po shkon drejt shkëputjes. Cila eshte strategjia e qeverise suaj per Mitrovicen?
Tashmë Mitrovica ka një kryetar të shkëlqyeshëm, të përkrahur fuqishëm nga institucionet e Prishtinës, nga SHBA dhe BE, zotin Bajram Rexhepi, që është duke punuar maksimalisht për integrimin e qytetit dhe të komuniteteve, është zotimi i të gjitha institucioneve të Kosovës që të punojë në drejtim të zgjerimit të autoritetit lokal dhe atij ndërkombëtar në tërë territorin e Kosovës; territori i Kosovës është i njohur dhe i pranuar nga e gjithë bota. Mitrovica, do të jetë e bashkuar dhe autoriteti i institucioneve të Kosovës do të funksionojë në të gjithë territorin e Kosovës. Ky është zotimi ynë, kjo është mbështetja e Uashingtonit dhe e Brukselit dhe në këtë drejtim nuk do të ketë luhatje, por vetëm do të ketë ecje përpara.