Serbia, kundër vëzhguesve në zgjedhje
Serbët votojnë më 20 janar për Presidentin e vendit dhe një javë përpara se ata të hedhin votën e tyre, Komisioni elektoral vendosi që të ndalojë britanikët dhe amerikanët që të jenë në mesin e vëzhguesve të zgjedhjeve. Disa anëtarë të komisionit thanë se vëzhguesit e këtyre dy vendeve nuk janë të mirëpritur për shkak se janë duke mbështetur qëllimin e Kosovës për t‘u pavarësuar prej Serbisë. Kosova pritet që të shpallë pavarësinë në muajt e ardhshëm. Ndërkaq Serbia ka miratuar praninë e vëzhguesve nga OSBE-ja dje Rusia. Agjencia e lajmeve ‘Reuters‘ citon disa zyrtarë që thonë se komisioni nuk arriti të marrë shumicën e kërkuar për miratimin e vëzhguesve britanikë dhe amerikanë, gjatë një votimi në Beograd. Kjo ndodhi sipas tyre nga kundërshtimet nga ana e përfaqësuesve të Partisë Demokratike të kryeministrit, Vojisllav Koshtunica. Ai ka kritikuar vazhdimisht Londrën dhe Uashingtonin për mbështetjen ndaj planeve për pavarësinë e Kosovës. Partia ultra-nacionaliste ajo Radikale, - anëtarët e së cilës abstenuan gjatë votimit, - e akuzojnë Britaninë e Madhe dhe SHBA-në se është duke u përpjekur "të na shkatërrojnë duke marrë territorin tonë". SHBA dhe shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropian mbështesin pavarësinë e Kosovës, ndërsa Rusia dhe Serbia e kudërshtojnë atë me forcë. Çështja e statusit të Kosovës pritet të jetë një çështje e rëndësishme në fushatën elektorale. Presidenti aktual, Boris Tadiç pritet të përballet me një sfidë të fortë nga kandidati i partisë Radikale, Tomislav Nikoliç.