E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, 11 viktima nga rrëzimi i një helikopteri

Një helikopter i ushtrisë së Maqedonisë është rrëzuar të premten pasdite afër Bllacës së Katllanovës. Në vendin e ngjarjes shkuan ekipet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të shërbimit zjarrfikës dhe ndihmës së shpejtë, por për fat të keq, nuk mundën të shpëtojnë asnjë nga ata që ndodheshin në bordin e tij. Burime zyrtare bënë të ditur se të 11 pjesëtarët e Ushtrisë së Maqedonisë që ndodheshin në helikopterin Mi-17 kanë humbur jetën. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes shkuan edhe Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Asnjë i mbijetuar

Helikopteri transportues Mi-17 transportonte ushtarë të Maqedonisë që ktheheshin nga misioni EUFOR-ALTEA në Bosnjë-Hercegovinë. Fillimisht, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë tha se ende nuk kishte të dhëna për viktima apo të lënduar dhe as sa ka qenë numri i njerëzve që ndodheshin në helikopter. Por më pas gjithçka u sqarua. Sipas të dhënave të mëpasshme, nuk ka asnjë të mbijetuar nga rrëzimi i helikopterit. Sikurse konfirmoi zyrtarisht Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë bëhet fjalë për një helikopter transportues Mi-17, që nuk ka pasur probleme më parë.

"Helikopteri shpërtheu në ajër"

Ka filluar tashmë një hetim për gjetjen e shkaqeve të aksidentit ajror. Ndërsa kanë konfirmuar njoftimet për rrëzimin e një helikopteri të ushtrisë maqedonase në zonën e Katllanovës, autoritetet zyrtare në Shkup thanë se hetimet për këtë ngjarje tragjike po zhvillohen në mënyrë intensive. Të njëjtët zyrtarë saktësuan se 11 ushtarë të armatës maqedonase, të cilët ktheheshin nga misioni ALTEA në Bosnjë, ishin në bordin e helikopterit të rrëzuar.

Deri tani janë gjetur vetëm disa nga trupat e pajetë. "Shkaqet e aksidentit nuk dihen, ndërkohë që ka filluar një hetimi i përgjithshëm dhe intensiv", thanë burime zyrtare maqedonase. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë edhe krerët e shtetit të Maqedonisë. Edhe Kryeministri, Nikolla Gruevski, edhe Presidenti Branko Cervenkovski e konsideruan aksidentin "një tragjedi të madhe".

Cervenkovski: Kjo është tragjedi

"Ndodhi një tragjedi e madhe. Ka ndodhur një avari, shpërthim, i helikopterit. Çfarë ndodhi me saktësi ende nuk është përcaktuar", thanë ata. "Helikopteri ishte i Maqedonisë, i cili ishte me mision në Bosnjë dhe ka qenë në fazë zbritjeje në Shkup, pikërisht atëherë kur ndodhi aksidenti. Hollësi të tjera nuk mund të jap, por bëhet fjalë për një tragjedi të madhe", tha Kryeministri Gruevski. "Bëhet fjalë për një aksident të madh, tragjedi dhe humbje e madhe. Për momentin nuk mund të them shumë, dua vetëm që t‘u shpreh ngushëllime familjarëve të viktimave", tha Presidenti Cervenkovski, i cili është dhe Komandant i Përgjithshëm i Armatës së Maqedonisë. Sipas mediave, banorët e fshatrave përreth kanë dëgjuar dy shpërthime. I pari në ajër dhe i dyti pas rrëzimit të helikopterit. Edhe autoritetet hetimore janë përqendruar pikërisht në pistën e shpërthimit në ajër të helikopterit ushtarak.

Pjesë të helikopterit të rrëzuar dërgohen për ekspertizë në laborator

Qeveria, mbledhje urgjente: Gjeni shkaqet

Pas aksidentit tragjik, qeveria maqedonase zhvilloi një mbledhje urgjente, gjatë së cilës ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Mirosllav Stojanovski, dhe shefi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aleksej Duma. Në këtë seancë urgjente, të thirrur nga Kryeministri Gruevski, u diskutua mbi shkaqet e mundshme të këtij aksidenti dhe nxjerrjen e përgjegjësive përkatëse. Gjithashtu, u diskutua edhe për procedurat e ceremonisë mortore për 11 viktimat, pjesëtarë të Armatës së Republikës së Maqedonisë.

Ndërkaq, në terren po vazhdon ende kontrolli dhe hetimet nga ekipe të specializuara të policisë kriminale, ekspertëve të fluturimeve dhe të ushtrisë. Mësohet se janë parë pjesë të helikopterit të rrëzuar në një distancë prej 50 metrash. Sipas informacioneve të Ministrisë së Mbrojtjes, helikopteri transportues ushtarak Mi-17 është rrëzuar në afërsi të vendit ku duhej të zbriste, mirëpo ai u ka humbur radarëve të kontrollit rreth 5 milje larg nga ky vend.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se janë gjetur të gjithë trupat e viktimave dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Familjarë të ushtarëve që ishin pjesë e misionit paqeruajtës në Bosnjë-Hercegovinë mbërritën në vendin e rrëzimit të helikopterit, duke kërkuar informacione nga drejtuesit e lartë të ushtrisë maqedonase. Por ata nuk janë lejuar t‘i afrohen vendit të aksidentit për shkak të hetimeve që po kryhen.

Misioni

Historiku i Forcës së Stabilizimit në Bosnjë

Më 14 dhjetor 1995 u firmos në Paris Marrëveshja mbi Kuadrin e Përgjithshëm për Paqe (General Framework Agreement for Peace) GFAP, pas negociatave të zhvilluara në Dejton. Më 16 dhjetor, Këshilli i Aleancës së Atlantikut Verior hodhi në veprim operacionin më të madh ushtarak deri më atëherë, Operacionin Përpjekja e Përbashkët (Joint Endeavor). Bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara Nr. 1031, NATO ishte e autorizuar për të zbatuar aspektet ushtarake të Marrëveshjes së Paqes. Një forcë ndërkombëtare e drejtuar nga NATO, e quajtur Forca e Zbatimit (Implementation Force) IFOR, filloi misionin më 20 dhjetor 1995. IFOR kishte një mandat njëvjeçar. Misioni parësor i kësaj force ishte që të zbatonte Aneksin 1A (Aspektet Ushtarake) të marrëveshjes së Paqes.

Pas drejtimit paqësor të zgjedhjeve të shtatorit 1996, IFOR përmbushi me sukses misionin për aplikimin e anekseve ushtarake të Marrëveshjes mbi Kuadrin e Përgjithshëm për Paqe. Gjithsesi, ishte e qartë se shumë mbetej për t‘u bërë në anën civile dhe se atmosfera politike vazhdonte të ishte seriozisht e paqëndrueshme dhe e pasigurt. Në nëntor dhe dhjetor 1996, u ndërtua në Paris një plan konsolidimi dyvjeçar, i cili më pas u përpunua në Londër nën mbikëqyrjen e Konferencës për Zbatimin e Paqes (Peace Implementation Conference). Duke u bazuar në këtë plan dhe në studimet e vetë aleancës mbi mundësitë e sigurisë, ministrat e Jashtëm dhe ministrat e Mbrojtjes së Vendeve anëtare NATO-s arritën në përfundimin se një forcë ushtarake e reduktuar ishte e nevojshme për të siguruar stabilitetin e nevojshëm për konsolidimin e paqes. Ata ranë dakord që NATO duhet të organizonte një Forcë Stabiliteti (Stabilization Force) SFOR, e cila u aktivizua më 20 dhjetor 1996, dita kur mbaronte dhe mandati i IFOR-it. Roli i IFOR-it (Operation Joint Endeavor) Operacioni Përpjekja e Përbashkët, ishte të aplikonte paqen. Roli i SFOR-it (Operation Joint Guard / Operation Joint Forge) janë për të stabilizuar paqen. Ndryshimi ndërmjet detyrave të IFOR dhe SFOR reflektohet edhe në emrat e tyre. Misioni parësor i SFOR-it është që të kontribuojë për një situatë të qetë dhe të sigurt çka është e nevojshme për konsolidimin e paqes.

Numri total i trupave të angazhuar në SFOR është rreth 11,900. Prej këtyre rreth 11,600 trupa janë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe rreth 50 trupa janë në Kroaci. Një personel prej afërsisht 100 trupash ndodhet në Elementët e Mbështetjes Kombëtare "National Support Elements" (NSEs).

Paqeruajtësit shqiptarë

Në zbatim të ligjit nr. 8139, datë 5.9.1996 të Kuvendit u vendos dërgimi i një kontingjenti paqeruajtës shqiptar për të marrë pjesë në operacionin e drejtuar nga NATO, Joint Endeavor "Përpjekja e Përbashkët" në ish-Jugosllavi. Ky ligj u shpall me dekretin nr. 1596, datë 12.9.1996 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Shqiponja Dykrenare në Flamurin e kuq ka fluturuar në Bosnjë që nga shtatori 1996, kur Shqipëria për herë të parë kontribuoi me trupa në IFOR. Dëshira e Shqipërisë për të pasur një rol më domethënës në çështjet ndërkombëtare mishërohet me anëtarësimin e saj në Programin Partneritetin për Paqe (PfP). Kompania shqiptare është përgjegjëse për sigurinë në Rajlovac dhe kontrollon se kush dhe çfarë hyn dhe del në kamp. Kompania shqiptare konsiston në gjashtë oficerë, po kaq kapterë dhe 57 ushtarë. Kjo kompani është pjesë autonome e repartit gjerman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›