Dështimi, vrasjet arrijnë numrin 100
Dështon policia për parandalimin e vrasjeve. Vetëm një vit ka mundur që Policia e Shtetit të mbajë këtë numër poshtë shifrës 100. Të njëjtën gjë pretendonte edhe sivjet, por ditët e fundit të dhjetorit kanë qenë tragjike për disa familje dhe fatkeqe për shifrat e policisë. Pikërisht nga data 21, deri në fund të muajit dhjetor, kur Policia e Shtetit u mburr se ka mundur që brenda vitit 2007 të mbajë numrin e vrasjeve nën shifrën 100, ekzekutimet janë shtuar. Veç shifrave alarmante e tragjedive në familjet shqiptare, shifrat e vrasjeve kanë sjellë edhe anulimin e analizës vjetore të gjithë Policisë së Shtetit. Kjo analizë ishte planifikuar të realizohej në ditët e fundit të dhjetorit, por duke parë vrasjet e njëpasnjëshme, ajo është shtyrë për këtë muaj.
Siç është publikuar edhe më parë, më 21 dhjetor të vitit 2007, Departamenti për Hetimin e Krimeve realizoi analizën vjetore të tij, ku ndër të tjera u bë edhe analiza e vrasjeve. Në fjalën e tij, kreu i këtij departamenti, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, tha se megjithëse vërehet një rritje e krimit të vrasjes "duhet të evidentohet pozitivisht fakti se është viti i dytë radhazi që numri i vrasjeve bie nën shifrën 100". E për këtë ai paraqiti edhe shifrat zyrtare të Policisë së Shtetit. Sipas këtyre shifrave thuhej se deri në datën e lartpërmendur kanë ndodhur 94 vrasje në të gjithë Republikën e Shqipërisë.
Por, rëndësia e këtyre shifrave u zbeh me kalimin e ditëve. Shtatë vrasje të tjera ndodhën njëra pas tjetrës deri natën e Vitit të Ri. Shifrat fatale nisën të rriten pikërisht më 24 dhjetor. Atë ditë në Tiranë një i moshuar vrau kunatin për hakmarrje, pasi dyshonte se ai i kishte vrarë dy fëmijët. Nga ana tjetër, në Shkodër u shënuan dy viktima të tjera. Për hakmarrje u vranë nënë e bir. Një ditë më vonë, më 25 dhjetor në Rubik ndodhi një tjetër ekzekutim. Këtë radhë mbeti i vdekur një 33-vjeçar, ndërkohë që autori u shpall në kërkim policor. Ndërkohë, më 26 dhjetor erdhën edhe dy viktima të tjera. Në Vlorë, një shtatzënë 21-vjeçare gjendet e vrarë, ndërkohë që ekzekutohet edhe një biznesmen në Fier. Veç këtyre, në ditët e fundit të vitit që lamë pas një vrasje tjetër ndodhi në Lezhë, ku pas një konflikti me armë mbeti i vdekur një tjetër person.
Këto shifra të larta sollën një ndryshim për Policinë e Shtetit. Më 28 dhjetor të vitit 2007 ishte planifikuar që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit të dilte në analizën e saj vjetore. Por, pas ndryshimit të numrit të vrasjeve, duke ditur se kishin mbetur ende ditë për t‘u mbyllur viti, policia e anuloi këtë analizë, duke e shtyrë për këtë muaj. Ndërkohë, në muajin dhjetor u krye vetëm analiza e disa drejtorive të policisë në qarqe dhe ajo e departamentit për hetimin e krimeve, ku në këtë të fundit u dha edhe deklarata se vrasjet mbetën nën numrin 100. Ndërkohë, problem tjetër që u ngrit në lidhje me veprën penale të vrasjes ishte ai i krimit brenda familjes. "Edhe gjatë këtij viti vërehet një numër i lartë i krimeve brenda familjes, e në mënyrë të veçantë i vrasjeve, ku në familje janë kryer një e katërta e vrasjeve të ndodhura", u tha në analizën vjetore të Departamentit të Hetimit të Krimeve. Ndërkohë, më tej u shtua se numri i lartë i vrasjeve brenda familjes duhet detyrimisht të tërheqë vëmendjen e të gjitha strukturave të policisë për organizmin e një pune të mirëfilltë parandaluese, për vlerësimin me seriozitetin maksimal të gjithë informacioneve për veprimtari kriminale për sensibilizimin dhe aktivizimin e të gjithë aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërorë për parandalimin e dhunës në familje si zanafillë e krimeve të rënda në familje.
Identifikimi i krimeve
nga policia shkencore
2006
353 autorë të identifikuar nga gjurmët daktiloskopike
189 objekte armë zjarri të identifikuara
2524 gjurmë papilare të vlefshme për identifikim
874 kartela të reja daktiloskopike
2007
499 autorë të identifikuar nga gjurmët daktiloskopike
208 objekte armë zjarri të identifikuara
2847 gjurmë papilare të vlefshme të fiksuara
925 kartela të reja daktiloskopike
Vrasjet
Viti 2007, asnjë krim për gjakmarrje
Gjatë vitit 2007, policia i ka klasifikuar vrasjet në disa kategori. Sipas të dhënave, janë evidentuar 46 vrasje me paramendim, nga 55 të ndodhura në vitin 2006. Ndërkohë, rritje kanë pasur vrasjet në grindje e sipër, ku nga 25 që kanë qenë në vitin 2006, numri ka arritur në 38 të tilla. Nga ky krahasim evidentohet qartë ulja e numrit të vrasjeve me paramendim dhe një rritje e numrit të vrasjeve të kryera në grindje e sipër. Ndërkohë, policia shënon 45 vrasje për motive të dobëta nga 25 të ndodhura në vitin 2006. Gjithashtu janë nëntë vrasje për hakmarrje, nga 12 të ndodhura në vitin 2006, ndërkohë që nuk është shënuar asnjë vrasje për gjakmarrje, ndryshe nga viti 2006, ku u shënuan katër të tilla.
25% e vrasjeve në 2007,
krim brenda familjes
Krimi brenda familjes shënon 25% të të gjitha vrasjeve të ndodhura në shkallë vendi. Shifra alarmante është dhënë nga Policia e Shtetit, e cila e ka renditur krimin brenda familjes si faktor të rritjes së numrit të vrasjeve. Bashkë me këtë fenomen të shoqërisë shqiptare, Policia e Shtetit ka shënuar rritje të numrit të vrasjeve krahasuar me një vit më parë. Në statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit rezulton se në vitin 2007 kanë pësuar rritje veprat penale kundër personit, duke rritur njëkohësisht edhe numrin e vrasjeve. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2007 janë evidentuar 3003 vepra penale kundër personit, ku janë zbuluar 2929 prej tyre, ose 98%. Por, një vit më parë policia ka regjistruar vetëm 2632 krime të tilla dhe ka zbuluar 2533, ose 96% të tyre. "Numri i lartë i vrasjeve brenda familjes duhet detyrimisht të tërheqë vëmendjen e të gjitha strukturave të policisë për organizmin e një pune të mirëfilltë parandaluese, për vlerësimin me seriozitetin maksimal të të gjitha informacioneve për veprimtari kriminale për sensibilizimin dhe aktivizimin e të gjithë aktorëve shtetërorë dhe privatë për parandalimin e dhunës në familje si zanafillë e krimeve të rënda", tha para pak ditësh Agron Kuliçaj. Megjithatë, ky problem është ngritur edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili ka tërhequr vëmendjen nga të gjithë drejtuesit apo efektivët në varësi të tij. Fillimisht, kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, përgëzoi punën e bërë nga departamenti i krimeve, por kërkoi që në vitin në vazhdim të punohet më shumë me parandalimin e krimit në familje. Ai tregoi se krimi në familje ka ardhur në ulje, por sërish mbetet në shifra shumë të larta. Sipas krahasimit, në vitin 2006 janë shënuar 25 vrasje brenda familjes, ndërsa këtë vit 23 të tilla. Megjithatë, lajme të mira vijnë nga nocioni i gjakmarrjes. Policia tha se gjatë vitit 2007 nuk është evidentuar asnjë vrasje me motiv gjakmarrjeje, nga katër të evidentuara në vitin 2006.