E Diel, 1 Nëntor 2026

Droga drejt Greqisë, arrestohet pas disa muajsh lazaratasi

Pas zbardhjes edhe të një hallke të zinxhirit të narkotrafikut ndërkombëtar që realizohet përmes Korfuzit, dje ka rënë në pranga edhe lazaratasi Bedri Basha. Prangosja e tij është bërë me një urdhër të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Sarandës. 23-vjeçari Basha ka rezultuar i implikuar në episodin e tetorit të vitit të kaluar, kur një grup i organizuar të rinjsh transportuan nëpër natë me një automjet tip "Benz" më shumë se 379 kg marijuanë në një vend të fshehtë në Kanalin e Çukës, në pritje të mjetit lundrues dhe bashkëpunëtorëve të tyre në brigjet që lidhin Sarandën me ato të ishullit helen. Ka qenë operacioni policor i koduar "Vendosmëria" që ka bërë të mundur kapjen e fijeve të narkotrafikut ndërkombëtar. Në vendin e quajtur Kanali i Çukës, në orën 04:30 minuta të 24 tetorit 2007, është bërë e mundur kapja e dy personave që bënin transportimin e 370.5 kg lëndë narkotike, e cilësuar nga ekspertët e llojit marijuanë. Në kushtet e flagrancës, ndërkohë që ishin duke bërë rrugën e fundit të transportimit të çantave, ku ishte sistemuar lënda narkotike, u kapën atëherë Mbarim Saliko, 22-vjeçari nga Konispoli dhe Emiljano Telhaj 28-vjeç, lindur dhe banues në lagjen Nr. 4 të qytetit të Sarandës. U sekuestruan 20 pako me nga 10-11 kg secila dhe 4 çanta të mëdha në ngjyrë të zezë, të cilat korrierët e drogës i kishin çuar me një automjet tip "Benz" në vendin e fshehtë mbi bllokun e hoteleve të ngritura në grykëderdhjen e Bistricës. Transportuesit thanë se u ishte dashur të bënin katër rrugë për ta çuar tërë sasinë e porositur, prej 370.5 kg marijuanë në vendin e caktuar, ku pritej ende pa zbardhur dita ardhja e një mjeti lundrues nga brigjet e Korfuzit. Dy personat e kapur duke bërë transportimin e kësaj sasie lënde narkotike u arrestuan, ndërkohë që u bë bllokimi e sekuestrimi i automjetit tip "Benz" si dhe 5 telefona celularë, në vlerën e provës materiale dhe të mundësisë për të identifikuar lidhjet ekzistuese në rrjetin e narkotrafikut ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›