E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakmarrja, tentohet vrasja e 30-vjeçarit

Një 30-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë, pas një konflikti me armë zjarri në Tiranë. Policia tha se i dëmtuari është Florenc Mejdani, ndërkohë që është identifikuar autori i ngjarjes, Robert Selami. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se rreth orës 14.00‘ të ditës së djeshme, shërbimet e Komisariatit Nr. 3, morën njoftim se në rrugën "Siri Kodra" në afërsi të nënstacionit elektrik, ka ndodhur plagosja me armë zjarri e shtetasit Florenc Nuredin Mejdani, 30 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet policore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë dhe të Komisariatit Nr. 3, ku janë kryer veprimet hetimore dhe procedurale. Menjëherë janë marrë masa në drejtim të organizimit të postblloqeve të lëvizshme në të gjithë territoret e Komisariateve, me qëllim kapjen e autorit të dyshuar të kësaj plagosjeje, i cili tashmë është identifikuar. Sipas policisë, dyshohet se ai është Robert Mensur Selami, 34 vjeç, lindur në Dibër e banues në Tiranë. Nga veprimet e para hetimore u konkludua se i dëmtuari dhe autori i dyshuar, kanë pasur një konflikt të mëparshëm me njëri-tjetrin, për motive të dobëta dhe për hakmarrje Selami ka tentuar vrasjen e Mejdanit. Policia e Tiranës, aktualisht është duke punuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit tashmë të identifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›