Gjakmarrja, në kërkim dy bashkëpunëtorë të Pucit
Vrasësi për gjakmarrje dyshohet se ka bashkëpunuar me dy persona të tjerë për ekzekutimin e Bilbil dhe Mimoza Ferhatit. Ky është konkluzioni i hetimeve paraprake të policisë kryeqytetase për të arrestuarin Hajdar Puci, i cili dy ditë më parë ekzekutoi për gjakmarrje vëlla e motër, të cilët kishin dalë për vizitat e Vitit të Ri. Burimet policore bënë të ditur se pas arrestimit të 62-vjeçarit Hajdar Puci, grupi hetimor ka marrë në pyetje atë në lidhje me krimin e kryer. Gjatë deklaratës së tij, i moshuari ka pranuar autorësinë e vrasjes së dyfishtë, por ka thënë se këtë krim e kishte kryer i vetëm. Madje, ai ka shpjeguar se kishte tri ditë e që ruante familjen Ferhati për ta ekzekutuar. Megjithatë, deklaratat e tij nuk kanë qenë tepër bindëse për forcat policore. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, duke marrë shkas nga rrethanat e ngjarjes dyshohet se ai ka bashkëpunuar edhe me dy persona të tjerë. Këta persona, sipas grupit hetimor, nuk mund të kenë marrë pjesë direkt në krim, por që e kanë ndihmuar të moshuarin për gjetjen dhe identifikimin e objektit. Gjithashtu, policia dyshon se dy personat, ende të paidentifikuar të kenë ruajtur viktimat Bilbil dhe Mimoza Ferhati dhe pasi ata kanë dalë nga shtëpia, kanë njoftuar të moshuarin, duke i treguar edhe koordinatat e lëvizjes. "Në këtë mënyrë, i moshuari ka zënë pritë dhe kur makina ku ndodheshin motër e vëlla, ka kaluar pranë tij, ai ka qëlluar mbi ta", detajoi grupi hetimor nga Policia e Tiranës. Hajdar Puci u arrestua dy ditë më parë nga forcat policore, pasi ekzekutoi me pistoletë Bilbil dhe Mimoza Ferhatin. Vdekja e dy djemve të burrit të moshuar ka bërë që ai të mos ndihet i qetë me drejtësinë dhe të marrë hak për ta. Zanafilla e kësaj ngjarjeje nis në vitin 2004, kur në qendër të Bathores, dy vëllezërit, Ferit dhe Din Puci u vranë me thika nga tre persona, ndër të cilët ishin dy vëllezër. Vrasja e vëllezërve Puci ndodhi pas një konflikti për pronën, e saktësisht për një arkë që ishte hedhur nga oborri i njërit dyqan te tjetri. Për këtë vrasje, drejtësia arrestoi vëllezërit Petrit dhe Kujtim Gjeta, ndërkohë që shpalli në kërkim Bashkim Ferhatin, vëllai i dy viktimave të së enjtes. Por, mosarrestimi i Ferhatit nuk solli paqe te i moshuari Hajdar Puci, dy djemtë e të cilit ishin nën dhe. Kështu, ai u betua se do të merrte hak, e një veprim të tillë e ka kryer dy ditë më parë.