Shfaqen ortekët në Dibër, fati shpëton 15 familje
Reshjet e dëborës, që në zona të thella malore të Dibrës shkojnë në mbi 50 centimetra trashësi, kanë sjellë me vete edhe rrezikun nga ortekët. Kështu, nga banorë të fshatit Sinë, në Komunën Arrën të rrethit Dibër mësojmë për rënien e një orteku në këtë fshat, i cili fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëme në njerëz. Por, sipas këtyre banorëve, mësohet se orteku, në rënie e sipër është ndarë në tri pjesë të vogla, duke mos i dhënë kështu mundësi rritjes së përmasave të tij, gjë që mund të rrezikonte 15 shtëpi të lagjes "Gjegja" në këtë fshat. Mësohet gjithashtu se nga rënia e ortekut janë dëmtuar disa mullarë me gjethe dushku të fshatarëve, që u shërbenin atyre si bazë ushqimore për bagëtitë gjatë dimrit. Por nëse orteku ka qenë me përmasa të vogla dhe fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëme në njerëz dhe materiale, ai ka zgjuar frikën e banorëve të këtyre anëve për rrezikun që i kërcënon mundësia e rënies së ortekëve.
Në Qarkun e Dibrës, në verilindje të vendit ka shumë zona që ndodhen nën një rrezik permanent gjatë stinës së dimrit, për rënie të ortekëve të dëborës. Nga statistikat e viteve të shkuara rezulton se zonat më të prekura nga ortekët janë fshati Grykë-Nokë, Komuna Çidhën, Rabdisht, Komuna Kala e Dodës, Zall-Dardha, Lura, Zona D e Minierës së Bulqizës dhe Batra në Martanesh. Ndër vite, në të gjitha këto zona ka pasur rënie ortekësh. Natyrshëm që në një retrospektivë të tillë ortekësh, e para ngjarje që të vjen ndër mend është ngjarja e Batrës, ku nga rënia e ortekëve gjetën vdekjen 11 gjeologë të kësaj miniere, të shpallur "Heronj të Punës". 11 heronjtë e Batrës u vranë nga goditja e ortekut të fuqishëm që ra sipër minierës së Batrës, më 25 shkurt të vitit 1965. "Kemi qenë 20 gjeologë sondistë, tregon Bajram Cara, një nga të mbijetuarit e kësaj tragjedie, që u vumë në kërkim të shokut tonë të humbur në dëborë, Neshat Qoku, nga fshati Kllobçisht i Maqellarës, i cili po kthehej nga leja, pasi i kishte lindur gruaja fëmijën e parë, vajzë. Në ditën e parë të kërkimit, ku u përfshinë shumë veta, gjeologë, minatorë, banorë të zonës dhe forca të ushtrisë të ardhura nga Burreli, u mundësua gjetja vetëm e një personi, Avdyl Perlakut, të cilin e kemi varrosur në dëborë, pasi ishte e pamundur nxjerrja e trupit nga humnera ku e kishte çuar orteku. Pas 5 ditësh kërkime të lodhshme u mundësua gjetja e trupit të fundit, që i përkiste Skënder Tomës". Në vendin ku ndodhi kjo ngjarje tragjike është ngritur një lapidar në nderim të 11 heronjve të Batrës, që vdiqën nga orteku i dëborës. Po kështu edhe në Minierën e Bulqizës, në Zonën D, nga rënia e ortekut në vitin 1967 humbi jetën minatori Latif Mira. Një tjetër tragjedi e rëndë e shkaktuar nga ortekët në Dibër ka qenë ajo e vitit 1973, ndodhur në fshatin Grykë-Nokë, të Komunës Çidhën, ku nga rënia e ortekut u zhdukën nga faqja e dheut dy shtëpi banimi, së bashku me 12 pjesëtarë të familjeve Laçi dhe Karriqi. Po kështu, një tragjedi tjetër e shkaktuar nga ortekët ka qenë edhe ajo e vitit 1987, ndodhur në fshatin Rabdishtë të Komunës Kala e Dodës, ku nga rënia e ortekut humbën jetën tre alpinistë dibranë. Janë pikërisht këto ngjarje të rënda, ndodhur ndër vite, që e shtojnë frikën dhe panikun e banorëve të këtyre zonave në këtë dimër, që siç duket nuk do të jetë i lehtë për t‘u kaluar dhe ku është dhënë sinjali i parë i rrezikut të ortekëve.