Ministria, masa për avokatët që bllokojnë seancat gjyqësore
Ministria e Drejtësisë është shprehur e vendosur për të mos toleruar më avokatët, që me mungesat e vazhdueshme nëpër proceset gjyqësore zvarrisin ecurinë e këtyre proceseve, duke i mbajtur peng ato. Mungesa aktuale e hapësirave ligjore për t‘i kontrolluar dhe për t‘i detyruar avokatët të jenë më korrektë me detyrimet e tyre ligjore është menduar të zgjidhet nga dikasteri i drejtësisë nëpërmjet ligjit të ri "Për Avokatinë në Republikën e Shqipërisë", i cili aktualisht është duke u diskutuar midis ekspertëve të kësaj ministrie dhe përfaqësuesve të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Ky ligj duket se do ta vendosë ministrinë në një rol më kontrollues ndaj avokatëve, krahasuar me pozicionin aktual.
"Zvarritja e proceseve gjyqësore, për shkak të avokatëve mbrojtës, është një problem i hershëm, i cili jo vetëm që njihet nga ana jonë, por jemi përpjekur me të gjitha mënyrat për ta riparuar", ka thënë dje për "Shqip" zëvendësministri i drejtësisë, Eduart Halimi, duke sqaruar se ky problem ka qenë shpesh objekt përplasjesh me dhomën e avokatisë. Numri dy i Ministrisë së Drejtësisë ka sqaruar se për këtë institucion ligji aktual për avokatinë parashikon një rol thjesht propozues: "Sipas ligjit, ministria ka të drejtë vetëm të propozojë masat ndaj avokatëve, për të cilët është konstatuar se nuk e kanë zbatuar detyrën në përputhje me ligjin, apo që janë bërë shkak për zvarritjen e proceseve gjyqësore. Por vetëm kaq. Më pas është Dhoma e Avokatisë ajo që duhet të vendosë lidhur me këto propozime". Në këtë mënyrë, me gjithë ankesat e vazhdueshme të gjykatave, kryesisht asaj të Krimeve të Rënda, ndaj mbrojtësve ligjorë që nuk paraqiten nëpër seancat gjyqësore, Ministria e Drejtësisë nuk ka forcë që të marrë masa ndaj tyre, por thjesht dhe vetëm t‘i propozojë ato. Ndërkaq, burime nga dikasteri i drejtësisë thonë se megjithëse numri i propozimeve për masa ndaj avokatëve ka qenë jo i vogël, asnjë lloj përgjigjeje nuk është dhënë nga Dhoma e Avokatisë. Të njëjtat burime thanë se mungesa në ligj e një afati kohor detyrues se kur duhet të shqyrtohen propozimet dhe kur duhet të jepet përgjigjja ka bërë që kërkesat e Ministrisë së Drejtësisë të mbeten nëpër sirtarë dhe të harrohen. Me kalimin e kohës ato humbasin aktualitetin dhe avokatët që abuzojnë me detyrën shpëtojnë pa u ndëshkuar.
"Ligji ekzistues është përpjekur që të ruajë me rigorozitet pavarësinë e Dhomës së Avokatisë, por ka krijuar këtë problem të mos ndëshkimit të avokatëve abuzues", thotë Halimi, duke shtuar se ligji i ri, i cili është duke u përgatitur, do të mund të rregullojë këtë problem. Sipas tij, në këtë projektligj që po hartohet së bashku me Dhomën e Avokatisë është duke u parashikuar një rol më i rëndësishëm i ministrisë, e cila do të mundet të marrë masa konkrete ndaj avokatëve abuzues, masa që mund të shkojnë deri në heqjen e licencës.
rasti
Procesi për bandën e
Durrësit, në vend numëro
Disa herë trupi gjykues i procesit ndaj të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit i ka dërguar ankesë Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës së Avokatisë për sjelljen e avokatëve mbrojtës, të cilët janë bërë pengesë për bllokimin e procesit. Nga ana e tyre, avokatët kanë ngritur pretendimet se kushtet në të cilat janë të detyruar të punojnë në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë të vështira, për shkak të numrit të madh të të pandehurve dhe hapësirës së vogël të sallës. Por me gjithë ankesat e ndërsjella të trupit gjykues dhe avokatëve, procesi në fjalë ka mbetur i bllokuar. Ai ka nisur në fillim të korrikut 2007 dhe deri tani janë shtyrë 14 seanca.