E Diel, 1 Nëntor 2026

Gramsh, vdes në një aksident, tetë plagosen

Për pak sa nuk është shndërruar në tragjedi një aksident në Rrethin e Gramshit. Një autoveturë, në të cilën udhëtonin nëntë persona, ka rrëshqitur rreth 30 metra në greminë e për pasojë janë plagosur rëndë tetë persona dhe një tjetër ka humbur jetën. Kanë udhëtuar në një rrugë tepër malore e për më tepër që janë ngjeshur nëntë veta në një automjet i tipit "Benz" 200, me targa DR2871E. Në automjet ndodheshin 9 persona, të gjithë pjesëtarë të një familjeje, Hasan Mërzheku 33 vjeç, e shoqja Enervila Mërzheku, 32 vjeç, si dhe fëmijët Driloni 8 vjeç dhe Nersila 14- muajshe, i vëllai i drejtuesit të mjetit, Gazmori, 40 vjeç, e shoqja Frida, 36 vjeçe, dhe tre vajzat Esteri, Gledis dhe Ornela përkatësisht nga 3-10 vjeç. Nga aksidenti ka gjetur vdekjen Drilon Mërzheku, 8 vjeç, ndërkohë që janë në gjendje të rëndë shtetaset Frida dhe Ornela. Ngjarja e rëndë, ka ndodhur dje në mesditë në Rrethin e Gramshit. Familja prej nëntë personash kthehej nga festimet e Vitit të Ri në fshatin Cingar, rreth 20 kilometra në verilindje të qytetit të Gramshit. Të gjithë ishin ngjeshur në një makinë i tipit "Benz", që mban pesë persona, duke udhëtuar nëpër rrugën malore, e cila ka rrëshqitur nga ngricat drejt një humnere të thepisur. Mendohet se ndoshta nga pesha në makinë, drejtuesi i mjetit ka humbur orientimin, duke rënë rreth 30 metra në humnerë. Sipas shefit të qarkullimit të Rrethit të Gramshit, Nexhip Hysi, në këtë makinë udhëtonin pesë fëmijë dhe katër të rritur. Sipas të njëjtit burim, udhëtonin dy vëllezër me bashkëshortet e tyre si dhe pesë fëmijë, që zbrisnin në qytetin e Gramshit pas një darke familjare në fshatin Cingar. Për pasojë, i njëjti burim konfirmon se ka vdekur në vend Drilon Mërzheku, dy të tjerë janë nisur me urgjencë me anë të një helikopteri për në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit, ndërsa gjashtë personat e tjerë ndodhen të shtruar në spitalin e qytetit të Gramshit nën kujdesin e mjekëve. Burimet e para informative bëjnë të ditur se drejtuesi i mjetit ishte 28-vjeçari Hasan Mërzheku bashkë me të vëllanë, Bujarin, bashkëshortet e tyre si dhe pesë fëmijët. Policia lokale ka shkuar shpejt në vendngjarje dhe si shkak të aksidentit ka nxjerrë humbjen e drejtimit të mjetit nga ana e shoferit për shkak të ngricave, si dhe pamundësinë e manovrimit të tij për shkak të personave të shumtë në kabinë. Burime spitalore të Gramshit kanë bërë të ditur mbrëmë se dy nga fëmijët, pasi kanë marrë ndihmën e parë, janë nisur drejt spitalit të Tiranës, pasi gjendja e tyre ishte mjaft e rëndë, ndërsa gjashtë personat e tjerë po u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale të specialistëve të këtij spitali, për të cilët shpresohet se nuk do kenë rrezik për jetën. Ndërkohë, policia e qarkullimit rrugor që dje në mbrëmje ka marrë masën e arrestit për drejtuesin 28-vjeçar të mjetit, Hasan Mërzheku, por pas kurimit të tij në spital. Sidoqoftë, organet e policisë janë duke hetuar ende mbi ngjarjen, duke i mëshuar më tepër shkakut të dyfishit të personave brenda në makinë, që solli si pasojë plagosjen e tetë prej tyre dhe vdekjen e vogëlushit. Ky mbetet aksidenti i parë me pasoja në këtë rreth në këtë fillimviti, por dhe i vetmi rast që në një autoveturë kanë udhëtuar nëntë persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›