E Diel, 1 Nëntor 2026

Devoll, nuk ka më investime për shkollat e fshatrave

Nuk do të ketë më investime në shkollat me numër të kufizuar nxënësish, në zonat e thella malore dhe ato rurale. Kjo është deklarata e drejtorit të arsimit në zonën e Devollit, Nazar Metolli, sipas të cilit, për faktin se shumë shkolla në këtë zonë nuk plotësojnë kriteret dhe kushtet e përshtatshme për nga infrastruktura dhe kanë një numër fare të vogël nxënësish, kjo do të çojë në bllokimin e investimeve në ato fshatra me pak fëmijë. Sipas tij, nuk mund të hidhen para në zona ku rrezikohet që godinat të mbeten bosh dhe pa nxënës. Ndërsa tregon raste konkrete të zonave malore dhe rurale që kanë pak fëmijë, Metolli deklaron se kjo nuk do të thotë që mbyllja e disa shkollave do të çojë edhe në ndërprerjen e procesit mësimor për fëmijët e fshatrave të thellë. Por për faktin se nuk mund të plotësohen as kriteret për mbajtjen e arsimtarëve, në ato zona që janë identifikuar tashmë si problematike, do të realizohet shpërngulja e kontingjentit të nxënësve drejt shkollave dhe kopshteve që plotësojnë standardet për mësimdhënie. Zgjidhja për arsimimin e nxënësve të fshatrave në zonën e Devollit do të jetë grumbullimi i tyre në shkolla me një numër më të madh nxënësish dhe me kushte të përshtatshme për arsimin, ndërsa për këtë është menduar dhe është rënë dakord me komunat, që të sigurohet transporti i fëmijëve me linja të veçanta udhëtimi. Sipas drejtorit Metolli, kjo është shumë herë më pak e kushtueshme sesa të investosh në një shkollë ku më vonë do të mbetet vetëm godina. "Ka raste kur janë bërë rikonstruksione dhe godinat më pas kanë mbetur bosh, pasi nuk ka fëmijë në fshatra. Ka fshatra me dy fëmijë të vegjël që duhet të ndjekin arsimin e detyrueshëm dhe nuk mund të hapet një shkollë vetëm për ta", sqaron ai. Në kushtet kur lëvizjet demografike dhe emigracioni kanë larguar banorët nga zonat rurale dhe kryesisht ato të thella malore që ndodhen në kufi me shtetin grek, ka shumë fshatra që nuk e kalojnë një numër prej 10 fëmijësh që duhet të ndjekin arsimin e detyrueshëm. Aktualisht, në disa fshatra të Devollit si: Gracë, Trestenik, Progër, Cangonj e Tren, mësimi zhvillohet në ambiente private të lëshuara me qira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›