E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, verifikim të gjitha tapive të ndara deri tani

Qeveria do të verifikojë të gjitha titujt e dhënë në tokën bujqësore. Këshilli i Ministrave përcakton me ligj që shteti të rimarrë tokat të cilat janë ndarë në mënyrë abuzive. Kush ka shitur tokën në fshat do të kthejë paratë. Çdo fshatar duhet të nxjerrë dokumentet e vitit ‘91 dhe ‘95. Këshilli i Ministrave ka diskutuar dje projektligjin "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", i cili do t‘i kalojë së shpejti Kuvendit për shqyrtim dhe miratim. Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë kriteret e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Po kështu, një tjetër qëllim i tij është që strukturat shtetërore të ngarkohen për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të dhënë në pronësi personave fizikë ose juridikë, vendas, si dhe detyrat e përgjegjësitë e këtyre strukturave. Por si do të përcaktohen kriteret e pronësisë mbi tokën bujqësore. Sipas draftit të përgatitur nga qeveria, kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë private mbi tokën të krijuar në sipërfaqet, që më 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastrale, në zërin "Tokë bujqësore" dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, "Për tokën", të ndryshuar. Në draft përcaktohet gjithashtu se nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe i krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991, nuk kanë figuruar në regjistrat kadastrale në zërin "Tokë bujqësore" si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore, pas kësaj date.

Familjet në fshat ose individët, që faktikisht e përdorin tokën bujqësore dhe e shfrytëzojnë atë, në kufijtë e pretenduar prej tyre, si pronë e parakolektivizimit dhe që nuk kanë pranuar të pajisen me aktin e marrjes së tokës në pronësi, mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar. Sipas këtij projektligji, nuk mund të bëhet kërkesë për t‘u pajisur me dokumentacion pronësie, kur sipërfaqja e tokës së pretenduar u është dhënë më parë në pronësi personave të tjerë, në bazë të dispozitave të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, "Për tokën", të ndryshuar dhe të ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995, "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore". Një tjetër pikë ku qeveria ka bërë ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 është se tashmë përdoruesit e tokave bujqësore brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, që disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, të lëshuara deri në fund të muajit shkurt të vitit 1996, kompensohen me truall në zonat urbane, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›