Kapelo: Boll me Bekam, shihni Anglinë
Fabio Kapelo duket se është shqetësuar nga komentet e shtypit dhe tifozerisë rreth mosgrumbullimit të Devid Bekam për miqësoren e javës së kaluar ndaj Zvicrës. Tekniku i përfaqësueses angleze ka bërë të qartë që mesfushori do të rikthehet në kombëtare vetëm pasi të aktivizohet me skuadrën e tij, por ka bërë thirrje që kjo të mos përbëjë shqetësimin e vetëm për shtypin dhe tifozët. Kapelo ka planifikuar 5 miqësore deri në fillimin e eliminatoreve të Botërorit 2010, ndaj është i sigurt se Bekam do të ketë kohën e mjaftueshme për të siguruar një vend në formacionin e kombëtares. "Që në miqësoren e ardhshme me Francën, jam i bindur se ai do të ketë luajtur ndeshje miqësore me klubin e tij, të cilat janë të rëndësishme për mua. Nëse ai është në gjendje të mirë dhe i gatshëm për të luajtur, sigurisht që do të bëjë pjesë në skuadrën time. Por mua më duket sikur gjëja më e rëndësishme është nëse unë përzgjedh apo jo Devid Bekam. Unë mendoj se të gjithë duhet të fokusohen tek Anglia", u shpreh Kapelo. Ky i fundit ka gjetur edhe zëvendësuesin e Bekam në formacion, duke rreshtuar në krahun e djathtë fillimisht Devid Bentlin e më pas Shon Rajt Filips. "Unë e kam parë Bentlin ndërsa luante në të djathtën, ndërsa më pas e provova edhe në qendër. Dua të jem sa më i qartë ku luajnë më mirë lojtarët. Unë mendoj se Bentli u paraqit mirë, por në pjesën e dytë ai ishte i shkëlqyer", tregoi trajneri italian. Sipas tij, do të ishte ideale nëse të gjithë lojtarët e kombëtares angleze do të interpretonin me shpirtin luftarak të Uejn Runit. "Unë kam parë tri-katër ndeshjet e fundit të Mançetser Junajtid dhe ai paraqitet gjithmonë njëlloj. Unë do të dëshiroja që skuadra të merrte këtë shpirt luftarak nga ai, pasi një sjellje e tillë është shumë e rëndësishme. Kam mbetur i çuditur nga aftësitë teknike të disa futbollistëve të Anglisë dhe cilësitë që ata shfaqin disa herë. Por ata bëjnë paraqitje të tilla më shpesh kur luajnë për klubet e tyre, një gjë të cilën ne duhet ta rregullojmë edhe në kombëtare. Ne kemi lojtarë me shumë cilësi në skuadër", vijoi Kapelo.
Problemi i dytë madhor i Kapelos është mosaktivizimi i Majkëll Ouen në ndeshjen me Zvicrën, një sinjal që trajneri u ka komunikuar të gjithë lojtarëve si për të treguar se askush nuk e ka vendin e sigurt. "Disa lojtarë kanë një vlerë të veçantë për skuadrën, por unë do të përpiqem gjithmonë të aktivizoj formacionin më të mirë. Askush nuk e ka vendin e sigurt. Unë e njoh shumë mirë Ouen. Unë e kam parë atë disa herë të luajë dhe ka gjithmonë vend për lojtarë të rëndësishëm në skuadër. Kam pesë ndeshje miqësore para fillimit të eliminatoreve dhe gjatë kësaj periudhe më duhet të mësoj cilët lojtarë të aktivizoj. Tifozët duan Ouen? Ky është një vend i lirë dhe ata mund të mendojnë çfarë të duan, unë mendoj vetëm për skuadrën", përfundoi Kapelo.