E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjet pallati 10-katësh, në panik banorët e ish-Bllokut

Një zjarr i madh ka tmerruar dje edhe banorët e ish-Bllokut në Tiranë, kur flakët kanë përfshirë gjashtë katet e një pallati. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:40 të ditës së djeshme, ndërkohë që vetëm disa orë më parë, në një tjetër pallat të Tiranës u dogjën brenda katër anëtarë të një familjeje.

Policia e kryeqytetit tha se rreth orës së lartpërmendur, në rrugën "Nikolla Tupe", në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ka rënë zjarr në ambientet e një lokali të quajtur "Buda bar". Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat policore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 2 Tiranë, shërbimet e zjarrfikësve dhe ambulancat. "Brenda një kohe të shkurtër u mundësua evakuimi i menjëhershëm i qytetarëve dhe zonës përreth, ku fatmirësisht nuk u shënuan dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale", deklaroi Policia e Tiranës. Ndërkohë, po sipas tyre, është bërë e mundur fikja e zjarrit nga shërbimet zjarrfikëse të ndihmuar nga shërbimet e policisë.

Fillimisht, zjarri ka rënë në ambientet e jashtme të pallatit 10- katësh dhe më pas është përhapur me shpejtësi, duke djegur tendat e ballkoneve të kateve të mësipërme. Në këtë kohë, tymi ka mbuluar gjithë pallatin dhe banorët e tij, ku një pjesë e mirë ndodheshin brenda apartamenteve, janë tmerruar dhe kanë nxituar të dalin jashtë. Gjatë kësaj situate të krijuar, një nga banorët ka mbetur i bllokuar në ashensor. Askush nuk ka mundur t‘i japë ndihmën e shpejtë nga frika e flakëve të mëdha. Të gjithë personat e njërës anë të pallatit kanë dalë jashtë apartamenteve të tyre, ndërkohë që policia u ka kërkuar banorëve të anës tjetër që të mbyllin dyert dhe mos të lëvizin. Sipas specialistëve, kjo manovër është bërë për të shpëtuar nga bllokimi i tyre në korridor, pasi nxehtësia kishte arritur temperaturë shumë të lartë.

Pak minuta më vonë, kur e gjithë zona ishte mbushur me zjarrfikëse dhe policë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe forcat speciale të policisë, të cilët janë mobilizuar për të ndihmuar të bllokuarit nga zjarri. Personi i parë që është ndihmuar nga forcat speciale të policisë ka qenë i bllokuari në ashensor, i cili ishte asfiksuar. Ai është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet edhe jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, forcat speciale kanë ndihmuar edhe disa banorë të tjerë, të cilët kishin mbetur të bllokuar në katet e larta të pallatit, pasi ata nuk mund të zbrisnin më poshtë. Brenda një kohe të shkurtër, zjarri kishte arritur në katin e gjashtë të pallatit. Por, në të njëjtën kohë, zjarrfikësit kanë mundur të izolojnë flakët dhe në një kohë të shkurtër të bëjnë shuarjen e plotë të tyre.

Pas shuarjes së flakëve, policia ka nisur punën edhe për zbulimin e shkakut që kishte çuar në djegien e pallatit. Ekspertët xhenierë kanë nisur punën me këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku ka rezultuar se zjarri ishte shkaktuar nga djegia e një gjeneratori. Ky i fundit ishte përdorur për të furnizuar një lokal privat, i cili ndodhej në katin e parë të pallatit që u dogj. Sipas banorëve, të cilët kanë ndenjur me orë, duke pritur për të hyrë në banesat e tyre, veç zhurmës që krijonte, gjeneratori desh u mori edhe jetën. Megjithatë, ata nuk i vënë faj poseduesit të gjeneratorit, por autoriteteve të shtetit, të cilët kanë rritur kufizimin e dritave. Ky nuk është rasti i parë që ky pallat bëhet problem. Sipas banorëve, shpeshherë është djegur transformatori e shumë prej tyre kanë blerë gjeneratorë, gjë që mbetet rrezik permanent për ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›