E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsulta për të gjitha emergjencat e dimrit

Ministri i Brendshëm, Nishani, ka zhvilluar dje një takim konsultimi me drejtues të strukturave shtetërore në nivel qendror, të cilat kanë lidhje direkt ose indirekt me përballimin e emergjencave civile. Qëllimi i kësaj konsulte ishte paraqitja dhe shkëmbimi i informacionit, si dhe përcaktimi i detyrave për secilën prej strukturave përkatëse në rastet e mundshme të emergjencave gjatë sezonit të dimrit. Nishani kërkoi informacion dhe tërhoqi vëmendjen në këtë konsultë në disa drejtime. Kështu, ai kërkoi masa në drejtim të kujdesit shëndetësor, rezervat në medikamente në zonat që mbulohen nga dëbora dhe gatishmëria e mjeteve të transportit, përfshi transportin ajror në rast nevoje për të sëmurët. Gjithashtu u kërkua mirëmbajtja e rrugëve dhe gatishmëria e mjeteve për këtë qëllim, përfshirë ato që disponohen nga Forcat e Armatosura, gatishmëria e hidrovorëve dhe kanaleve të të gjitha niveleve. Veç këtyre, ministri u ngarkoi të pranishmeve përgatitjen e një plani ndihme me mallra ushqimore për zonat që mund të bllokohen nga bora. Pjesëmarrësit në këtë takim konsulte raportuan mbi përgatitjet e tyre në drejtim të përballimit të emergjencave, si dhe deklaruan angazhimin e plotë të strukturave që drejtojnë për bashkërendimin e punës për zgjidhjen e situatave të mundshme të emergjencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›