Kosova kërkon që të jetë pjesë e Lëvizjes Olimpike
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Skënder Hyseni, i kanë dërguar një letër të përbashkët presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Zhak Ruzh. Të dy përfaqësuesit e shtetit më të ri në kontinent kanë theksuar se Kosova e pavarur dhe tashmë e njohur nga shumë shtete, meriton që të jetë pjesë e Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare. Në letrën e përbashkët, citohej ndër të tjera, se qeveria dhe Ministria e Sporteve "zotohen se do të respektojnë autonominë e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe e mbështesin atë në përmbushjen e misionit të tij, ashtu si kërkohet në Kartën Olimpike". Në fund, Kryeministri Thaçi dhe ministri Hyseni i janë lutur kreut i IOC-së, që si personalisht, ashtu edhe nëpërmjet institucionit që ai drejton, të bashkëpunojnë dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës. Vetëm pak muaj më parë, në adresë të presidentit Zhak Ruzh ishte dërguar një letër tjetër nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm, Hoakim Ryker, i cili kishte kërkuar që sportistët dhe institucionet e Kosovës të mbështeten nga programi i solidaritetit olimpik.
Në pritje të njohjes nga Kombet e Bashkuara (OKB), edhe sporti në Kosovë ka mbetur pezull. Përveç ping-pongut dhe hendbollit, asnjë disiplinë tjetër nuk mund të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare. Edhe pse gjatë muajit shkurt u hodh hipoteza se disa sportistë kosovarë mund të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike, Pekin 2008, kjo nuk mund të realizohet. Zëdhënësja e IOC, Emanuel Moro, theksoi se për t‘u bërë anëtare e këtij institucioni, më parë Kosova duhet të njihet nga OKB-ja dhe duhet të përmbushë me patjetër disa kushte, e për këtë arsye "ka pak gjasa të përfaqësohet me flamurin e saj në Lojërat Olimpike, Pekin 2008". Në Serbi, njohja e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare vazhdon të kundërshtohet fuqishëm, por në mënyrë surprizë presidenti i Komitetit Olimpik të Rusisë, Leonid Tjagaçev, ka deklaruar se është e domosdoshme që sportistët e këtij vendi të marrin pjesë në një eveniment të madh siç është Olimpiada. Sipas tij "nuk është e arsyeshme që sportistët dhe trajnerët të dënohen për shkak të politikës, ndërkohë që ky eveniment është ëndërr e çdo sportisti".