E Diel, 1 Nëntor 2026

Disiplina, gjoba për të mbrojtur gjyqtarët

FSHF duket se ka gjetur mënyrën e duhur për të mbrojtur gjyqtarët dhe për të bindur lojtarët dhe drejtuesit e klubeve për të mos fyer më "xhaketat e zeza". Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Disiplinës, të 11 vendimet e marra janë dhënë për fyerje të gjyqtarit të ndeshjes nga lojtarë apo drejtues klubesh në kategori të ndryshme, përfshirë edhe kampionatet e moshave. Për të minimizuar sa më shumë këto shfaqje nga terrenet sportive, është vendosur që përveç pezullimeve të rastit, të jepen edhe masa të rënda financiare, në mënyrë që këta lojtarë apo drejtues skuadrash të mendohen dy herë para se të përsëritin fyerjet ndaj gjyqtarëve në ndeshjet e ardhshme. Disiplina dje ka dhënë në total 230 mijë lekë të reja gjoba, duke i shpërndarë ato edhe në ndeshjet e moshave, pa harruar edhe totalin e 26 ndeshjeve pezullim që janë dhënë për këta futbollistë dhe drejtues skuadrash. Meqë këshillimet e vazhdueshme nuk kanë funksionuar, sidomos në futbollin e moshave, atëherë masat ndëshkimore të shoqëruara me gjoba janë cilësuar si zgjidhja e vetme për të disiplinuar të rinjtë që thyejë shpesh rregullat. Në fakt, problemet kryesore të trajtuara nga Komisioni i Disiplinës ndodhin në të shumtën e rasteve në futbollin e të rinjve dhe paratërinjve, kur rregullat më themelore nuk respektohen si nga lojtarët, ashtu edhe nga trajnerët që i drejtojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›