Presidenti Ismaili mendon largimin nga peqinasit
Presidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili, po mendon seriozisht të largohet nga drejtimi i skuadrës peqinase. E ardhmja e tij do të vazhdojë të jetë e lidhur me futbollin, pasi gjasat janë që ai të marrë drejtimin e Kastriotit. "Ende nuk kam marrë një vendim, por gjithçka është e mundshme", ka pohuar Ismaili. Skuadra krutane është një piacë e përshtatshme për numrin 1 të Shkumbinit, i cili është në sezonin e tij të parë si drejtues i lartë i një klubi futbolli. Arsyet janë të thjeshta: shumë shpejt Kastrioti do të ketë një stadium të ri, por mbi të gjitha është më afër kryeqytetit. Prej pesë ditësh, ky klub nuk ka sponsorë, pasi përpara ndeshjes Besa-Kastrioti, presidenti Shkëlzen Zhilli dhe zv/presidenti, Kujtim Baholli, janë larguar nga posti që mbanin. Largimi i Ismailit mund të shndërrohet në realitet pavarësisht faktit që Shkumbini është një nga skuadrat që rrezikojnë më pak të bien nga Kategoria Superiore, ndërsa Kastriotit i duhet që të luftojë deri në fund për të siguruar vendin mes skuadrave elitare.