Mançini jep dorëheqjen, shfaqet hija e Murinjos
Sikur të mos mjaftonte eliminimi nga Liga e Kampioneve, Interi ka pësuar një tjetër goditje të rëndë, pasi trajneri Mançini ka deklaruar dorëheqjen e tij në fundin e këtij sezoni. Ndonëse tekniku i zikaltërve ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me presidentin Morati në fillimin e këtij edicioni, ai e ka bërë të qartë se ky vendim ishte marrë prej kohësh. "E kisha vendosur që më parë se do të largohesha në fundin e sezonit, pavarësisht kalimit të turit në Ligën e Kampioneve. Ia kam thënë një gjë të tillë presidentit, me të cilin nuk ka pasur asnjë zënkë, është thjesht një vendim personal. Mendoj se e ardhmja ime do të jetë larg Italisë", ishte deklarata tronditëse e trajnerit të zikaltërve, që ka shkaktuar më shumë trazira në radhët e Interit. Mes konfirmimeve të së vërtetës dhe reagimeve të lojtarëve, ka dalë në skenë emri i Hoze Murinjos, duke lënë të kuptohet se gjithçka mund të kishte qenë e planifikuar më parë.
Deklarata e Mançinit ka ardhur në momentin më të gabuar të sezonit, pasi Interi ka dështuar përsëri në Evropë, ndërsa është në pozita delikate edhe në kampionat, ku Roma po përpiqet t‘i rrëmbejë titullin. Kjo ka bërë që edhe presidenti Morati të reagojë ashpër ndaj trajnerit që ka shqetësuar ambientin zikaltër. Bashkë me drejtuesit e tjerë, Branka dhe Oriali, ai ka zhvilluar një mbledhje urgjente në dhomat e zhveshjes, duke diskutuar rreth së ardhmes dhe strategjisë së punës. "Duhej të ma kishte thënë më parë mua se do ta bënte një deklaratë të tillë", mësohet t‘u ketë deklaruar vartësve të tij presidenti i Interit, i cili tashmë nuk e sheh më me sy të mirë Mançinin. Fjalët e vetme publike të presidentit ishin "No comment", që lë shumë pak për të deshifruar. Por mediat italiane janë të bindura se ai dëshiron të hakmerret ndaj trajnerit dhe mund të vendosë largimin e menjëhershëm të tij, duke e zëvendësuar me Mihajloviç deri në fundin e sezonit, para se të ftojë Hoze Murinjon.
Sido që të shkojnë gjërat, portugezi duket se do të marrë drejtimin e zikaltërve gjatë verës, konfirmim që vjen si nga mediat italiane, ashtu edhe nga ato britanike. "Hapet rruga për Hoze", shkruante dje gazeta "The Sun", duke sqaruar se mes palëve ka pasur kontakte menjëherë pas largimit të Murinjos nga Çelsi. Ish-trajneri i londinezëve pritet të sjellë me vete edhe "batalionin e të besuarve", lojtarë që ka drejtuar te Çelsi dhe që i kanë premtuar atij ta ndjekin në aventurën e re. Emri i parë është ai i sulmuesit Dider Drogba, i gatshëm të transferohet në Itali, ndërsa fillimisht kishte hyrë në bisedime me kuqezinjtë e Milanit. Një tjetër përforcim do të jetë në mesfushë, ku i përzgjedhuri i Murinjos është ganezi Mikael Esien, duke lënë në hije hipotezën Diarra, që portugezi nuk preferoi ta merrte nga Reali në fillimin e këtij edicioni. Emri i mbrojtësit që do të afrohet, përsëri nga Çelsi, është ai i Rikardo Karvajos, që nën drejtimin e Murinjos te Porto dhe Çelsi, u kthye në një nga lojtarët më të fortë të prapavijës. Ndërkaq, te zikaltrit do të vazhdojnë të qëndrojnë Manike dhe Figo, ku i fundit do të shërbejë më shumë si zv/trajner, meqë njeh shumë mirë ambientin në klub. Drejtuesit e Interit nuk janë të frikësuar të marrin shumë lojtarë nga Çelsi, pasi e kishin bërë një gjë të tillë edhe vite më parë, kur morën nga Lacio të gjithë "shokët" e Mançinit.