Te ndertojme stabilitet ne Ballkanin Perendimor
Për momentin, mund të nxirren dy përfundime thelbësore nga procesi i bisedimeve për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.
I pari; këto bisedime kanë qenë objekt i përpjekjeve të jashtëzakonshme dhe i punës serioze, që të gjitha palët e interesuara kanë investuar në to për shumë kohë. Beogradi, Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë kushtuar resurse të rëndësishme, duke u përpjekur ta zgjidhin këtë çështje të fundit të hapur, që rrjedh nga konfliktet e ndodhura në Ballkanin Perëndimor, gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar. I dërguari special, Ahtisari, investoi 14 muaj në ciklin e parë të bisedimeve, gjatë të cilit u organizuan 15 raunde të takimeve direkte dhe 26 vizita në rajon.
Pastaj, "Treshja", që përbëhej nga përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së dhe Rusisë, ndërmjetësoi në rrethin e dytë të bisedimeve, që ishte intensiv dhe që zgjati katër muaj. Të gjitha palët morën pjesë sinqerisht në përpjekjet për ta kaluar hendekun ekzistues.
Është brengosëse që përfundimisht nuk pati arritje të mundshme dhe sipas mendimit të përfaqësuesit evropian, sado që të zgjasnin bisedimet, dallimet do të mbeteshin të pakapërcyeshme.
Përfundimi i dytë thelbësor është se "status quo-ja" në Kosovë është e paqëndrueshme. Situata është e tillë prej disa kohësh, por tani është bërë akoma më e paqëndrueshme se sa në vitin 2005, kur nisi procesi i bisedimeve për përcaktimin e statusit të Kosovës.
Situata e keqe ekonomike në Kosovë, nevoja e vërtetë për krijimin e vendeve të reja të punës, domosdoshmëria e stabilizimit dhe hapjes së perspektivës afatgjatë për në BE, për të gjithë rajonin pa përjashtim, janë fakte që tregojnë se procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës duhet të ecë përpara. Kosova, tashmë për një kohë të gjatë është mbajtur në gjendje politike e ekonomike "pezull" (domethënë të pasigurisë) dhe e ka të domosdoshme të dijë perspektivën e qartë.
Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së parashikon procesin e përcaktimit të statusit politik dhe meqë kemi ardhur në fund të bisedimeve, edhe ky proces duhet të shkojë në fund. Ka mjaft spekulime për temën se çfarë pasojash mund të vijnë, por është mjaft e rëndësishme të kihet parasysh se lënia e hapur e kësaj çështjeje ka çmim të caktuar. Personalisht besoj se mbyllja e procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës, me mbështetjen e plotë dhe aktive të BE-së, ka më shumë përparësi për të gjithë në rajon, krahasuar me lënien e saj "në ajër", pa qartësinë që tregon se po shkohet te zgjidhja e situatës.
Stabiliteti evropian dhe siguria, me qëndrimin pasiv ndaj problemit, do të ishin të dëmtuara. Një "konflikt i ngrirë" mund të aktivizohet mjaft lehtë. Ky është leksion praktik, që e kemi mësuar në Ballkan gjatë viteve ‘90 dhe nuk mund të përsërisim prapë të njëjtin gabim. Besoj se të gjithë kolegët e mi evropianë kanë rënë dakord se lënia mënjanë dhe shprehja e shqetësimit nuk është mënyra me të cilën BE duhet ta shohë realitetin e politikës tonë të jashtme e të sigurisë.
Dhjetorin e kaluar, Këshilli i Evropës dërgoi porosi të qartë se BE është e gatshme të ndërmarrë përgjegjësi dhe të luajë rol drejtues në përmbylljen e procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës. Është e vërtetë se liderët e BE-së e kanë përshtatur këtë deklaratë, sepse ajo është pasojë logjike e perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor, që u vendos në Selanik në 2003. Ky premtim nuk është dhënë lehtë dhe përmbushja e tij është problemi që të 27 shtetet anëtare të BE-së i qëndrojnë me seriozitet të plotë. Mbi bazën e bisedimeve me kolegët evropianë, e di se kemi qëndrim të përbashkët për paqen në rajon dhe për të ardhmen më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në të.
Shpresojmë se mjaft shpejt do t‘u dëshirojmë mirëseardhjen në BE, si bashkëqytetarët tanë të rinj. Në fund të fundit, kjo është ajo më e rëndësishmja. Popujt e këtij rajoni kanë të drejtë të jetojnë në paqe, të ndërtojnë përparimin personal e të mbrohen nga e keqja që sjell luftën.
Në bashkësinë ndërkombëtare do të ketë prapë bisedime për statusin e ardhshëm të Kosovës, gjatë javëve të ardhshme. Edhe në kuadër rajonal do të ketë rast që të demonstrohet lidershipi, i cili e vendos paqen dhe të mirën në përgjithësi para luftës e retorikës boshe. Nuk ka dyshim se para nesh janë disa vendime të vështira, madje dhe të dhimbshme. Nuk mund ta shmangim këtë problem. Të gjithë liderët politikë, që kanë ndikim mbi çështjen për të cilën flasim, duhet të mendojnë me kujdes se në çfarë mënyre mund të kenë rol pozitiv e konstruktiv. Brezat në Ballkanin Perëndimor janë përballur me trashëgimi të tmerrshme e tragjike dhe të gjithë kemi përgjegjësi për të bërë diçka shumë më të mirë për këtë brez dhe për brezat që vijnë.