Vajza me ferexhe, pa shkollë nuk e pranon as Medreseja
Vajzat nga Lapraka që nuk pranohen në shkollë për shkak se mbajnë ferexhe nuk kanë mbështetjen e askujt. Komuniteti Mysliman dhe Ministria e Arsimit nuk kanë pranuar dje të bëjnë asnjë koment lidhur me këtë fakt. Kreu i komunitetit, Selim Muça, i kontaktuar nga "Shqip", është shprehur se nuk ka dëshirë të bëjë deklarata publike. Po e njëjta përgjigje ka qenë edhe nga Ministria e Arsimit.
Gentiana 15 vjeçe dhe e motra Marsela 12, u veshën me ferexhe dy muaj më parë, ndërsa vazhdonin shkollën 9-vjeçare në Tiranë. Sapo është konstatuar veshja e tyre, mësuesja kujdestare dhe drejtoresha e shkollës janë përpjekur të bëjnë punë bindëse, duke iu kërkuar vajzave të heqin ferexhenë dhe të veshin uniformën e shkollës. Ato kanë refuzuar. Në këto kushte nuk janë pranuar në mësim, ku nxënësit e tjerë mbajnë uniformë shkollore të përcaktuar nga rregullorja e brendshme e shkollës. Prej një muaji vajzat kanë mbetur pa mësim. Sipas përfaqësueses së grave në Komunitetin Mysliman, Iris Maçi, çdo nxënës duhet të zbatojë rregulloren e shkollës, në kohën kur ajo funksionon normalisht. Pra vajzat nuk duhet të ishin veshur me shami për sa kohë njiheshin me rregulloren e shkollës. "Por në rastin konkret, kryesia e komunitetit do të mblidhet dhe t‘i bëjë një kërkesë zyrtare MASH-it që të pranojë vajzat në shkollën publike, ku ishin më parë", u shpreh Maçi. E pyetur për dy rastet në veçanti, Maçi sqaron se për vajzën 12-vjeçare, nxënëse e klasës së gjashtë, nuk ka urdhëresë fetare për t‘u veshur me shami, pasi me Kuran është që femra mund të vishet kur është në moshën e pjekurisë seksuale. Ndërsa për Gentianën, që është 15 vjeçe, shamia islame është krejt normale.
Për më të voglën, Marselën, familja është përpjekur të gjejë një zgjidhje, duke e regjistruar në Shkollën e Medresesë, ndërsa për Gentianën, situata është kaotike, nuk e pranon as Shkolla e Medresesë dhe as shkolla "28 Nëntori". Shkolla fetare ka program tjetër me atë të shkollës publike, ndaj e ka të pamundur të pranojë një nxënës në vitin e fundit të ciklit shkollor. Gentiana është në klasë të tetë dhe vetëm kur të jetë në vitin e parë në gjimnaz mund të regjistrohet te Medreseja, por për këtë duhet të marrë më parë dëftesën e klasës së 9-të. Kjo pasi që nga ky vit shkolla 8-vjeçare kthehet në 9-vjeçare. Nisur nga rasti i Gentianës, Iris Maçi thotë se "Ministria e Arsimit duhet të shohë me përparësi arsimimin e detyruar të nxënësve, pasi është e pafalshme që një 15-vjeçare të mbetet pa u diplomuar në vitin e parafundit të studimeve. Edhe drejtoresha e shkollës 9-vjeçare "28 Nëntori" në Laprakë, mendon se zgjidhja është Shkolla e Medresesë. Lirie Ahmeti u shpreh për "Shqip" se "vajzat me ferexhe duhet të shkojnë në shkollë fetare". Por përpos dëshirave, rregullat janë të qarta, Medreseja nuk e pranon Gentianën, ndërsa shkolla ku mësoi për 7 vite e refuzon atë me veshje fetare. Babai i vajzave, Medet Hasani, tregon se ka dëshirë që vajzat të shkollohen, ndaj proteston për pranimin e tyre në shkollën publike. "Kërkoj që fëmijët e mi të arsimohen si gjithë të tjerët. "I jam drejtuar disa herë drejtoreshës së shkollës, më jep një vendim me shkrim për përjashtimin e vajzave nga shkolla, por ajo nuk ka pranuar". Kështu shprehet Medeti, ndërsa shton se "dua të di ku bazohet vendimi i saj për përjashtimin e vajzave dhe rregullorja që pretendon se po zbaton për uniformën në shkollë". I irrituar ai shprehet se do ta ndjekë çështjen edhe në instanca më të larta.