Hiqen punonjësit, përgjysmohet Hipoteka
Tre punonjës më pak në zyrën e regjistrimit të pronave në Prefekturën e Elbasanit. Ditën e djeshme është ekzekutuar një vendim i AKP në Tiranë, për largimin nga puna të tre punonjësve të Hipotekës në Elbasan, emrat e të cilëve ende nuk bëhen publikë. "Largimi i tyre nga puna nuk mbetet në kompetencat e mia, por urdhri i pushimit ka ardhur nga qendra në Tiranë", ka pohuar Klevis Kosova, i sapoemëruar në zyrën e regjistrimit të pronave dhe pasurive në Elbasan. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se shkak janë bërë disa ankesa nga posedues pronash në Elbasan, të cilët e kanë kërkuar të drejtën e pronës së tyre pranë AKP në Tiranë, duke bërë të qarta abuzimet e punonjësve të Hipotekës së Elbasanit në lidhje me pronat e tyre. Ky është rasti i parë në këtë institucion të rëndësishëm vendor, që pasi bëhen ankesa për abuzime nga qytetarët, vendimet për shkarkime merren nga lart. Ende nuk mësohet nëse tre punonjësit e shkarkuar nga detyra do të mund të jenë me precedent penalë, apo shkarkimi i tyre përkthehet thjesht si një masë administrative. Sidoqoftë, zyra e regjistrimit në Elbasan tani punon me gjysmën e organikës, ndërkohë që presin të ligjërohen me qindra dosje pronash të qytetarëve elbasanas.