Kushtet e higjienës, kyçen dy shkolla
Është marrë vendimi për t‘u mbyllur dy shkolla në qytetin e Fierit. Ka qenë inspektorati higjieno-sanitar në Drejtorinë e Shëndetit Publik Fier ai që ka marrë vendimin për të mbyllur dy shkollat. Ndërsa ky vendim i Drejtorisë së Shëndetit Publik është thyer pak ditë më parë, pikërisht vendimmarrësi, po inspektorati i higjienës, rideklaron mbylljen e tyre. Nga ana tjetër, bashkia e qytetit ka premtuar edhe më parë, si dhe tani, ndërhyrje të menjëhershme, e cila nuk është kryer edhe pas kapërcimit të afatit me disa javë. Minjtë kanë pushtuar shkollën "Andon Xoxe", kurse situata e higjienës në banjat dhe klasat e kësaj shkolle është mjaft e rëndë. E njëjta situatë është edhe në shkollën "Petro Sota". Ky lajm konfirmohet në mënyrë zyrtare nga kryeinspektorja e higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier, Lirika Dano. Kjo e fundit shpjegon se si fillim kanë qenë grupe nxënësish dhe prindërish të tyre që kanë treguar praninë e minjve në shkollën "Andon Xoxe". Ankesat e tyre çuan në kontroll të përsëritur në të gjitha shkollat e rrethit. "Janë afro 800 nxënës në shkollën 9-vjeçare dhe 750 në shkollën e mesme që rrezikojnë moszhvillim mësimi si shkak i mbylljes së shkollave, vetëm se në to mungojnë kushtet higjieno-sanitare", ka thënë Lirika Dano.