Dy barna me rimbursim për transplantin
Valsaid dhe Progad, dy medikamentet, të cilat janë më shumë se të nevojshme për të gjithë ata që kryejnë transplantin e veshkave janë propozuar të futen në listën e re të barnave me rimbursim. Lajmi është bërë publik dje, nga kreu i shërbimit të Nefrologjisë në QSUT, Nestor Tereska. Sipas tij, ky shërbim ka propozuar futjen e këtyre dy medikamenteve në skemën e rimbursimit. Të dyja medikamentet janë të shtrenjta, e megjithatë përfaqësuesit e Komisionit Teknik të Listës së Barnave, të cilët bënë dhe këtë propozim, kanë shpresa se do të bindin Komisionin e Miratimit të Listës së Barnave, për të rimbursuar dy barnat.
Por, duke qenë se Valsaid dhe Progad janë të kushtueshme, ato janë propozuar të rimbursohen pas plotësimit të disa kritereve dhe në momentin e duhur. Fondi i përcaktuar për të rimbursuar barnat e 2008-ës nuk premton futjen e ilaçeve të reja. Ky fakt është pranuar edhe nga drejtuesit e Kujdesit Shëndetësor, të cilët janë në pritje të miratimit të propozimit të tyre për futjen e dy listave të rimbursimit. Bëhet fjalë për një listë me rimbursim të plotë dhe një me rimbursim të pjesshëm, që do të përfshijë ilaçet e shtrenjta. Këto do të paguhen bashkë nga shteti dhe pacienti.