Shkupi: Vizat, fajin e ka Tirana
Shkupi zyrtar ka fajësuar qeverinë shqiptare për pezullimin e vizave me Maqedoninë, duke krijuar bazë për një polemikë të re diplomatike. Në një deklaratë të djeshme, Ministria e Jashtme e Maqedonisë thekson se "na vjen keq që në vitin 2007 Shqipëria në mënyrë të njëanshme u tërhoq nga marrëveshja bilaterale për udhëtime të ndërsjella", duke shtuar se në rrjedhë janë konsultime politike të të dyja ministrive për ripërtëritje të marrëveshjes. Ministria e Jashtme maqedonase, duke komentuar debatet në media, deklaroi se nuk është vendosur një regjim i ri i vizave, por vetëm se rregullohet mënyra e dhënies së vizave maqedonase. Sipas Shkupit, vizat e Maqedonisë, nga fillimi i këtij viti do të nxirren vetëm në ambasadat dhe konsullatat e Maqedonisë, që është në pajtim me rregullativën e miratuar ligjore të vitit të kaluar, ndërsa e harmonizuar me Brukselin. Institucionet kompetente janë të obliguara të veprojnë në pajtim me ligjin "Për qëndrim të të huajve", të miratuar nga Kuvendi në maj të vitit të kaluar". Duke i qëndruar argumentit të theksuar që në ditët e para të vitit, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme maqedonase, theksuan se vizat, në pajtim me ligjin e ri "Për qëndrim dhe lëvizje të të huajve", që ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti, prej tani e më tutje do të jepen vetëm në ambasadat dhe konsullatat e Maqedonisë, e kjo vlen për të gjitha shtetet me të cilat Maqedonia ka politika të vizave. Sipas Shkupit, norma e tillë është në pajtim me rekomandimet e Komisionit Evropian, ndërsa është pjesë edhe e kushteve për lehtësimet e vizave me vendet anëtare të BE-së dhe për procesin e liberalizimit të vizave. Institucionet kompetente, thuhet në kumtesë, janë të obliguara të veprojnë në pajtim me ligjin për qëndrim të të huajve, që është miratuar nga ana e Kuvendit në maj të vitit të kaluar. Ligji për të huajt është miratuar pa asnjë votë kundër.
Sulmi
Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Maqedonisë, ka akuzuar deputetët shqiptarë për hipokrizi. Sipas saj "kritikat e disa deputetëve janë tentim për manipulim politik të opinionit". Në deklaratën e zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme maqedonase, sulmi ndaj subjekteve shqiptare shkon edhe më larg. Duke komentuar kritikat e deputetëve shqiptarë, zyrtarët e Shkupit theksuan se "disa deputetë, të cilët as që janë prononcuar, as kanë dhënë vërejtje lidhur me ligjin derisa i njëjti ka qenë në procedurë kuvendore, ndërsa, pas shtatë muajve të miratimit të tij, e kritikojnë pushtetin ekzekutiv për zbatimin e tij". Ministria e Jashtme maqedonase thekson se angazhohet për politikë sa më të lehtë me të gjithë fqinjët, por me respektim të marrëveshjeve bilaterale dhe parimeve të BE-së. "Në këtë drejtim, na vjen keq që në vitin 2007 Shqipëria njëanshëm është tërhequr nga marrëveshja bilaterale për udhëtime të ndërsjella. Ripërtëritja e kësaj marrëveshjeje edhe më tej është pjesë e konsultimeve të dy Ministrive të Punëve të Jashtme, mbledhja e fundit e të cilave në nivel profesional u mbajt më 14 dhjetor vitin e kaluar në Tiranë. Në mbledhje, pala shqiptare edhe një herë u njoftua për ligjin e miratuar për qëndrim dhe lëvizje të të huajve nga ana e Kuvendit të Maqedonisë. Delegacioni i Maqedonisë shprehu pritje se qeveria e Shqipërisë do ta shqyrtojë mundësinë për heqjen e taksave hyrëse për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pa kurrfarë diskriminimi. Njëkohësisht është nënvizuar rëndësia e planeve për hapje sa më të shpejtë të vendkalimeve të reja kufitare mes dy shteteve, me çka në mënyrë të konsiderueshme do të lehtësohej kalimi i njerëzve", thuhet në kumtesë.