Gripi, gjobiten çerdhet dhe kopshtet
Gjoba kopshteve dhe çerdheve të Fierit, pasi neglizhuan masat e dhëna prej shëndetit publik lidhur me kapërcimin e situatës së virozave të stinës. Një numër i madh institucionesh arsimore të sistemit parashkollor të Fierit kanë marrë gjobë prej Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe pikërisht inspektoratit higjieno-sanitar. Bëhet fjalë për më shumë se 16 kopshte dhe çerdhe të qytetit, të cilat javën e fundit janë ndëshkuar me një masë prej 10000 lekësh, për faktin e vetëm se nuk kishin të dokumentuar masat shtesë të dhëna prej Drejtorisë së Shëndetit Publik në momentin kur në të gjithë vendin u përhap alarmi për meningjitin. Ndërsa në një prej shkollave 9-vjeçare të qytetit, te "Perikli Ikonomi", drejtoria e shëndetit Publik ka vendosur gjobë, pasi ka gjetur të paplotësuar me libreza shëndeti mësuesit e saj.
Sipas stafeve drejtues të kopshteve dhe çerdheve të gjobitura, konfirmohet se "objekt i gjobës së vënë ka qenë faza e vetme, ajo e mosmatjes së temperaturës së fëmijëve dy herë në ditë".
Kjo fazë nuk është e parashikuar në rregulloren zyrtare që ka çdo kopsht, por është dhënë në formë thirrjeje nga ana e inspektores Lirika Dano, gjatë një seminari trajnues të zhvilluar me drejtoreshat e institucioneve parashkollore në muajin janar, kur u dha alarmi i meningjitit, e kur në Fier pati një person të prekur. Epidemiologia Anila Moçi në një prononcim zyrtar për gazetën "Shqip" ka pranuar mungesën e bazës së dokumentuar e ligjore të vendosjes së gjobave, por e ka mbrojtur këtë urdhër shtesë me anën e një shkrese të vënë në dispozicion nga Inspektorati i Higjienës. Në dokumentin e servirur nga epidemiologia Moçi, përshkruhej qartë orientimi i dhënë për të gjitha drejtoreshat e kopshteve dhe çerdheve në shkallë rrethi.
"Në muajin janar të këtij viti, pas ardhjes së rastit të parë me meningjit në qytetin e Fierit, u thërritën në një takim të gjithë drejtuesit e institucioneve arsimore. Gjatë këtij takimi është vendosur dhe është bërë thirrje që për fëmijët duhet aplikuar matja e temperaturës dy herë në ditë. Kjo është neglizhuar nga edukatoret e kopshteve dhe çerdheve, për të cilat u vendos edhe prerja e gjobave", ka shpjeguar Anila Moçi, epidemiologe.
Reagimi i ashpër i stafeve drejtuese të kopshteve e çerdheve në qytet, të cilat dhe janë ndëshkuar me gjobë, përballë një faze parandaluese të përkeqësimit të situatës virale të ndërmarrë nga autoritetet e shëndetësisë, është një përpjekje për të mbrojtur një formë neglizhence nga ana e stafeve drejtuese të institucioneve parashkollore. Kjo për faktin e vetëm se përballë shëndetit të një grupi fëmijësh apo të një komuniteti të gjerë, duhet pak më shumë vëmendje dhe ndërgjegjësim si nga autoritetet shëndetësore, ashtu edhe nga ato apo ata punonjës të administratës shtetërore që kanë në ngarkim jetën dhe mbarëvajtjen e një grupi fëmijësh apo dhe të rriturish.
Ndërkohë, ndryshimi i temperaturave dhe pikërisht rritja e tyre në mënyrë të menjëhershme ka sjellë impaktet negative në shëndetin e popullatës. Më të prirur për t‘u prekur nga virozat e stinës në këtë periudhë kanë qenë fëmijët. Sipas shefit të repartit të pediatrisë në Fier, Harrallambi Bogo, mësohet se moskujdesi i nënës ndaj fëmijëve vazhdon të shënojë tregues të lartë të sëmundshmërisë në grupmoshat nga 0 deri në 12 vjeç. Harrallambi Bogo është shprehur se "situata virale e stinës mes fëmijëve të Fierit është diçka mbi normalen, por jo në kushte alarmante. Mesatarisht, gjatë javës së fundit, pranë urgjencës së spitalit të fëmijëve Fier janë drejtuar afro 60 vogëlushë". Mjekët pediatër shprehen, duke ju referuar regjistrit të vizitave dhe shtrimeve, se ka pasur ditë kur 9 fëmijë i janë drejtuar urgjencës, si dhe ditë të tilla ku numri i fëmijëve shkonte deri dhe në 49. Fluksi jo konstant i vogëlushëve, sipas shefit të pediatrisë, Harrallambi Bogos, ka lidhje direkt me funksionimin e qendrave shëndetësore të lagjeve.