E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e barnave, ministria: Do përshpejtojmë procedurat tenderuese

Gabimi i vonesave të tenderave për furnizimin me barna nuk do të bëhet edhe këtë vit. Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë. Problemet e mbërritjes së barnave në kohë të vonuar do të minimizohen gjatë 2008-ës. Pas shfaqjes së mungesave të para të medikamenteve në pavijonin e pediatrisë, Ministria e Shëndetësisë ka reaguar duke sqaruar se procedurat e tenderave më problematikë do të përshpejtohen, madje në rastet më të veçanta do të aplikohet më shumë tenderimi i drejtpërdrejtë. Gjatë vitit 2007 një pjesë e barnave kanë mbërritur me vonesë, ose nuk kanë mbërritur fare në farmacinë e spitalit si pasojë e zvarritjeve të procedurave tenderuese, verifikimeve apo përmbushjes së afateve.

Zyrtarisht, Ministra e Shëndetësisë ka deklaruar se do të ketë më shumë përgjegjësi këtë vit, pjesa që i takon furnizimit të pavijoneve me barna. Madje, në qendër të vëmendjes do të jenë ato shërbime të cilat trajtojnë sëmundjet më të vështira dhe me kosto më të lartë. Kjo do të thotë se pavijonet ku trajtohen të sëmurët me tumore, probleme të gjakut, e të gjitha shërbimet me koston më të shtrenjtë do të kenë më shumë ilaçe dhe mbërritja e tyre në farmaci do të jetë në kohën e duhur. Citostatikët, barnat me të cilat trajtohen pacientët me tumore do të jenë një tjetër kategori në qendër të vëmendjes. Viti 2008, duket se do të jetë edhe periudha ku do të nisin të vendosen në vijë të gjitha problemet e të shkuarës. Pak ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Edmond Stojku, deklaroi se është në fazë pune inventarizimi i të gjitha objekteve spitalore dhe në veçanti i pajisjeve që shërbejnë për ekzaminime apo trajtime të sëmundjeve. Aktualisht, më shumë se 50 për qind e aparaturave spitalore ndodhen në kushte remonti, ndodhen jashtë përdorimi. Në raste të tjera atyre u nevojiten objekte restaurimi që kapin shifra të larta blerjesh. Më të diskutuarat janë aparaturat të cilat janë dhuruar apo janë falur nga spitalet e huaja me dëshirën për të ndihmuar sadopak pacientët shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›