Shkrumbohet shtëpia, alarmohet i gjithë pallati
Tridhjetë familje në alarm nga zjarri i rënë në apartamentin e njërit prej fqinjëve të pallatit. Zjarrfikësit e mbërritur në vendin e ngjarjes e kanë pasur tepër të vështirë të luftojnë flakët, pasi rrugët për të mbërritur pranë pallatit kanë qenë të zëna. Rreth e qark pallatit ka pasur rrethime dhe garazhe të cilat kanë vështirësuar qëndrimin e automjetit zjarrfikës sa më pranë objektit. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Shkozet të Durrësit, rreth orës 14:30. Familjet janë evakuuar nga apartamentet e tyre, ndërsa shtëpia e fqinjit Maks Deda ndodhej në pushtetin e gjuhëve të zjarrta. Në apartamentin e 50-vjeçarit Deda, në katin e gjashtë të pallatit 687, për fat të mirë nuk ndodhej askush dhe ka pasur vetëm dëmtim material. Fqinjët kanë njoftuar të zotin e shtëpisë në telefon. Ai jetonte vetëm në apartament, pasi pjesa tjetër e familjes kishte emigruar në Greqi. Lufta me flakët ka qenë e vështirë për shkak të terrenit, ndërsa banorët janë përfshirë nga paniku. E parkuar në distancë automjeti ka krijuar probleme në pompimin e ujit. Zjarri është vënë nën kontroll pas afro një ore dhe shkak i tij dyshohet të jetë një qark i shkurtër elektrik, i shkaktuar nga elektro-shtëpiaket e lëna ndezur. Ndërkohë, apartamenti i Dedës është djegur plotësisht. Ngjarja ka bërë që banorët të apelojnë për ndërhyrjen e policisë ndërtimore për të liruar hapësirat mes dhe pranë pallateve, të cilat bllokojnë qarkullimin e mjeteve si zjarrfikëset dhe autoambulancat, duke vënë në rrezik jetët e tyre.